Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka folur sot rreth disa fërkimeve të fundit ndërmjet deputetëve të AAK-së dhe Nismës, respektivisht deputetit Muharrem Nitaj dhe deputetit Haxhi Shala. Nitaj tha se po flitet se Fatmir Limaj do të kthehet në PDK, duke shkaktuar kështu reagimin e Shalës.
Mirëpo, deputeti Haradinaj thotë se AAK-ja ka pasur koalicion serioz me Nismën për një kohë të gjatë, edhe sa ishin në opozitë.
“AAK-ja ka pasur koalicion serioz me Nismën tash e sa vite, edhe në kohën kur ishim në opozit, edhe në përiudhën kur ishim bashkë me LDK-në, derisa kjo e fundit e braktisi koalicionin dhe ju bashkua PDK-së. Ne me Nismën e kemi vazhduar bashkëpunimin edhe në dy palë zgjedhjet e fundit dhe kjo në shume raste ka qene tepër e suksesshme”, ka thënë Haradinaj për Ballkani.info.
Sipas tij, koalicioni i AAK-së me Nismën dhe PDK-në nuk ka asnjë dallim në temat kryesore dhe kështu pritet të jetë edhe në vazhdim.
I pyetur konkretisht për debatet e fundit, Haradinaj thotë se ato janë nxjerrë nga konteksti.
“Muharrem Nitaj është mik i Limajt dhe i deputetëve tjerë, siç është edhe deputeti i nderuar Haxhi Shala”, ka thënë tutje Haradinaj.
Sipas tij, partneriteti i lidershipit të këtij koalicioni është tepër serioz dhe për çdo ndryshim në të ardhmën lidershipi i partive të koalicionit do të vendos, varësisht nga rrethanat.
“Sot vëmendja duhet të jetë kah temat e rëndësisë nacionale dhe të cilat kërkojnë unitet jo vetëm te koalicionit qeverisës, por të gjithë spektrit politik kosovar”, ka thënë në fund Daut Haradinaj. /Ballkani.info/







