Daut Haradinaj: Punëve të mira s’iu duhet reklamë, për të këqijat do jemi opozitë e fortë

Shefi i Grupit Parlamentar, Daut Haradinaj është deklaruar pas votimit të qeverisë së re të Kosovës.

Ai ka thënë se Kosovën e presin punë të rëndësishme e vendime të mëdha.

“Shteti nuk bëhet me fjalë, por me përkushtim, popullizmi i tepruar lehtësisht kthehet në zhgënjim për qytetarë. Të gjithë nesër do ballafaqohemi me problemet e njejta. Punëve të mira nuk u duhet reklamë.

Kjo qeveri që e largoi Autostradën e Dukagjinit, kjo qeveri që do e heqë taksën dhe do e kthejë Kosovën në treg të lirë për Serbinë, e për shumë gjëra tjera, do ta ketë një opozitë shumë të fortë”, ka shkuar Haradinaj, duke shtuar: “e mos te flasim për dialogun me Serbinë, që dyshoj shumë se do ju nënshtrohen lehtë, të përgatiten për kundërshtim”.

“Nga sot jemi të përkushtuar që t’i përfaqësojmë qytetarët që na besuan dhe gjithë atyre që mendojnë në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosoves së 17 shkurtit 2008. Krenar me gjithë ata që bashkërrugëtuam për këto vite, ashtu sikurse do jemi krenarë për rrugëtimin që do e kemi. Ju priftë e mbara”, ka shkruar Haradinaj.