Daut Haradinaj ka deklaruar se Policia dhe Ushtria e Kosovës do të jenë prioritet kryesor i angazhimit të tij, duke paralajmëruar masa konkrete ligjore dhe institucionale për përmirësimin e kushteve të tyre.

Përmes një postimi publik, Haradinaj ka theksuar se, krahas krijimit të kushteve më të mira të punës dhe rritjes së pagave, do të jetë “i pakompromis” në përmbushjen e dy objektivave kryesore. Sipas tij, brenda gjashtë muajve duhet të përmbyllet dhe miratohet ligji për pensionin e Policisë së Kosovës, i cili do të jetë i barabartë me atë të Ushtrisë.

Po ashtu, ai ka bërë të ditur se brenda 12 muajve do të zgjidhet përfundimisht çështja e sigurimit shëndetësor dhe jetësor për Policinë dhe Ushtrinë e Kosovës.

“Kjo është një hap i domosdoshëm për dinjitetin e atyre që çdo ditë rrezikojnë jetën për sigurinë e vendit,” ka deklaruar Haradinaj, duke shtuar se Policia dhe Ushtria meritojnë respekt, siguri dhe trajtim të barabartë jo vetëm me fjalë, por me ligj dhe veprim.

Në fund të reagimit të tij, Haradinaj ka theksuar se do të qëndrojë krah secilës dhe secilit që shërben në mbrojtje dhe sigurinë e popullit dhe të Kosovës.