Daut Haradinaj nis furishëm fushatën për kryetar të Prishtinës, tregon se ku do të ndërtohet spitali i kryeqytetit

Teksa kanë mbetur gjashtë muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, ka nisur fushata e kandidatëve për të parin e kryeqytetit. Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e që synon Prishtinën, ka nisur me premtime për spital rajonal.

Ai ka thënë se një i tillë, po që se fiton AAK-ja në Prishtinë, do të ndërtohet në fshatin Llukar, në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Kosova në tërësi i ka 6 spitale rajonale, që shërbejnë për qytetarët e atyre rajoneve. Ndërsa Prishtina si kryeqytet me rreth gjysmë milion banorë dhe 3 komunat përreth saj, nuk e kanë një të tillë. Për këtë arsye, jam munduar të marr opinione nga shumë ekspertë dhe njerëz që kanë mbajtur përgjegjësi nëpër institucione shëndetësore, ku po thuajse të gjithë janë të njëzëri që Spitali Rajonal i Prishtinës të ndërtohet në Kazermën e FSK-së, në Llukar të Prishtinës”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Në fund, Haradinaj ka dhenë tri arsye përse e ka menduar këtë lokacion për spital rajonal. Ka thënë se prona është lehtësisht e shfrytëzuese, se klima e ajri i pastër që ka zona janë faktorë kyç për shëndetin e njeriut e se Unaza e Qytetit që pritet të ndërtohet është lehtësisht e qasshme.

Te partitë tjera më të mëdha ende s’janë zyrtarizuar emrat për kandidatë për të parin e Prishtinës.