Kandidati për deputet nga AAK-ja, Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj politikave të qeverisë aktuale lidhur me tregun e punës dhe migrimin, duke theksuar se Kosova po dështon ta mbajë rininë e saj brenda vendit.
Përmes një postimi publik, Haradinaj ka deklaruar se, ndonëse edhe para pesë vitesh janë dhënë premtime të shumta për rininë e Kosovës, realiteti sipas tij është krejtësisht ndryshe. Ai ka kritikuar faktin se qeveria po mburret me sjelljen e mbi 2000 punëtorëve nga Pakistani, në vend se të prezantojë arritje konkrete për përmirësimin e kushteve për të rinjtë vendorë.
“Është për keqardhje trajtimi që po i bëhet rinisë sonë, duke i detyruar të migrojnë për një jetë më të mirë, ndërsa në vend të tyre po sillen punëtorë nga vendet e treta, ku varfëria është ekstreme”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se Kosova ka nevojë urgjente për politika që do ta ndalin ikjen e të rinjve dhe do të krijojnë kushte për kthimin e tyre në atdhe. Në fund të reagimit të tij, Haradinaj ka apeluar që qeveria e ardhshme të fokusohet në mënyrë të qëndrueshme në kthimin e rinisë shqiptare në Kosovë, duke e konsideruar vendin si “Tokën e Premtuar” për ta.







