Daut Haradinaj: Kosharja dhe Kushtetuta e Kosovës, themel i lirisë dhe funksionimit të shtetit

Ish-deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tani kandidat për të parin e Prishtinës, Daut Haradinaj ka thënë se Kushtetuta e Kosovës dhe Beteja e Koshares janë dy ngjarje themel i lirisë dhe funksionimit të shtetit.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në facebook, Haradinaj ka thënë se 9 prilli shënon goditjen e fundit regjimit serb.

“Sot shënojmë dy ngjarje, themelin e lirisë dhe funksionimin e shtetit të Kosovës. Nëntë prilli, fillimi i luftës në Koshare, ishte dita ku mijëra djem e vajza nga mbarë bota shqiptare ishin rreshtuar nën komandën e Rrustem Berishës, për t’i dhënë goditjen e fundit regjimit serb”, ka shkruar Daut Haradinaj.

Ai ka thënë se duhet nderuar dhe respektuar të gjithë ata që ndër vite kontribuuan deri në aktin e Ditës së Kushtetutës.

“Nëntë prilli shënon edhe ditën e Kushtetutës, si akti më i lartë juridik i Republikës sonë. Të dyja këto ngjarje e dëshmojnë sakrificën dhe i japin vulën kushtetuese vendit tonë. Nder dhe respekt për të gjithë ata që ndër vite kontribuuan deri në aktin e Ditës së Kushtetutës”, është shprehur ai.