Daut Haradinaj: I kemi marrë të gjitha masat dhe do të jemi befasi e këtyre zgjedhjeve

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e deputetit Etem Arifi është pak i çuditshëm, sepse për herë të parë ua merr mandatin 120 deputetëve.

“Është vendim pak i çuditshëm, por ne si AAK e respektojmë këtë vendim sikurse e kanë respektuar të gjitha subjektet tjera. Megjithatë, ky vendim nuk e qartëson saktë se çka ndodh me deputetët tjerë që kanë pasur problem me ligjin”, ka thënë ai, duke shtuar se me këtë vendim Gjykata ua ka marrë mandatin 120 deputetëve të Kosovës, shkruan Ballkani.info.

“Logjikisht neve na certifikon KQZ-ja dhe në momentin që e bënë këtë atëherë unë jam mandatar për deputet. A ka bërë shkelje KQZ-ja shkelje kur e ka cerifikuar Etem Arifin si deputet, kjo le t’i mbetet KQZ-së. Po si duket në këtë rast Gjykata Kushtetuese ia ka shtuar edhe një pjesë Kushtetutës sonë”, ka thënë Haradinaj në emisionin “Debat” të RTK-së.

Sipas tij, AAK-ja është e gatshme për zgjedhje dhe se i ka marrë të gjitha masat.

“I kemi marrë të gjitha masat dhe do të jemi befasi e këtyre zgjedhjeve”, ka thënë shefi i deputetëve të AAK-së./Ballkani.info/