Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka folur sonte edhe për idenë e ndarjes së Kosovës, apo shkëmbimit të territorit me Serbinë.
Ai ka thënë se kjo ide ka qenë jashtëzakonisht e dëmshme për Kosovë si shtet, për pavarësinë e shpallur me 17 shkurt.
Sipas tij, ndarja do të nënkuptonte veriun e Kosovës, përfshirë Liqenin e Ujmanit dhe Kombinatin Trepça, shkruan Ballkani.info.
“Ne kemi dhënë gjak për këta kufij të Kosovës, e kemi la me gjak, prandaj prekja e tyre do të ishte absolutisht e papranueshme. Unë dy vëllezër i kam të vrarë për këta kufij, Ramushi i ka dhjetëra plagë, unë po ashtu, prandaj loja me këtë ide është e rrezikshme”, ka thënë Haradinaj në Dukagjin.
Tutje ai ka shtuar se për të mbrojtur të paktën edhe një pëllëmb të tokës së Kosovës është i gatshëm 24 orë.
“Edhe për një pllum tokë jam i gatshëm 24 orë. Jam në gatishmëri, dhe askush tjetër nuk mund t’i dalë zot kësaj toke sikur unë, pa marrë parasysh a bëjnë shqiponjë me gishta a qysh flasin në rrugë. Pavarësia e 17 shkurtit nuk guxon të prekët dhe nëse prekët atëherë duhet të dalim edhe në tokat dhe vendet tjera ku jetojnë shqiptarët”, ka qenë i prerë Haradinaj. /Ballkani.info/







