DASH: SHBA-ja e zhgënjyer, Kurti dhe Vuçiq duhet të bëjnë lëshime për të mos rrezikuar paqen e fituar me dekada të vështira

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka deklaruar se SHBA-ja është tejet e zhgënjyer me liderët e Kosovës dhe Serbisë, pas mospajtimit për targat në Bruksel.

Tutje, DASH thekson se Kurti dhe Vuçiq do të duhej të bëjnë lëshime për të siguruar që ne të mos rrezikojmë paqen e fituar me dekada të vështira në një rajon tashmë të brishtë.

“Ne i bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të punojë me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Borrell,, dhe përfaqësuesin e posaçëm, Lajçak, për të arritur një kompromis të drejtë. Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq do të duhet të bëjnë koncesione për t’u siguruar që ne të mos i rrezikojmë dekadat e paqes së fituar me vështirësi në një rajon tashmë të brishtë”- thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

“Ne i bashkohemi BE-së në thirrjen ndaj Kosovës që menjëherë t’i pezullojë masat e planifikuara që do t’i eskalonin tensionet, përfshirë shqiptimin e gjobave për vetura”- thuhet më tej në deklaratë.

“Të dyja palët duhet të përmbahen nga ndërmarrja e hapave provokues, t’i përmbushin obligimet e tyre nën dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme”- përmbyllet deklarata.