DASH

DASH: Jemi të zhgënjyer që Vulini do jetë zëvendëskryeministër i Serbisë

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) u shpreh i zhgënjer që ish-udhëheqësi i inteligjencës serbe (BIA), Aleksandër Vulin, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) që nga vitit 2023, do të rikthehet në pozitën e zëvendëskryeministrit në Qeverinë e Serbisë.

“Jemi të zhgënjyer kur shohim dy persona të sanksionuar të propozuar për poste në qeverinë e re”, theksoi një zëdhënës i DASH-it për “Zërin e Amerikës” të martën, duke iu referuar Vulinit dhe ministrit pa portofol, Nenad Popoviç, ndërsa shtoi se “pozicioni ynë ndaj Vulinit është i njohur”.

Vulini ka shërbyer edhe si ministër i ushtrisë dhe ministër i policisë. Ish-bashkëpunëtori i gruas së udhëheqësit fashist të Serbisë, Sllobodan Milosheviç, ndodhet nën sanksionet amerikane për shkak të përfshirjes në afera korruptive për të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

E ministri aktual i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa Marko Gjuriç, ish-ambasadori i Serbisë në Uashington dhe ish-drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, do t’i bashkohet ekzekutivit serb si shef i diplomacisë.

Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë do ta drejtojë Bratisllav Gashiç, deri tani ministër i Punëve të Brendshme, ndërsa Ministrinë e Kulturës do ta marrë Nikolla Selakoviç, ish-shef i diplomacisë serbe (2020-2022), aktualisht ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale. E këtë ministri do ta udhëheqë Nemanja Staroviç, ish-sekretari shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes.

Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë do të rikthehet Zllatibor Llonçar, ndërsa ministri i deritashëm i Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Aleksandër Martinoviç, do ta drejtojë Ministrinë e Bujqësisë. Ministre e Drejtësisë mbetet Maja Popoviç, ndërsa Ministrinë e Financave do ta drejtojë Sinisha Mali, i cili mban këtë pozitë nga viti 2018.

Gjithashtu, postin e ministres për Integrime Evropiane do ta mbajë edhe për një mandat Tanja Mishçeviç, ndërsa Sllavica Gjukiç-Dejanoviç do të jetë sërish ministre e Arsimit. Kreu i Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve do të jetë përsëri kroati Tomisllav Zhigmanov, ndërsa ministër i Sportit do të jetë edhe për një mandat Zoran Gajiç, ish-trajner volejbolli.

Ministre e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale do të jetë Jellena Zhariç Kovaçeviç, ndërsa Adrijana Mesaroviç do të jetë ministre e re e Ekonomisë. Ministër për Investime do të jetë Darko Gllishiç, ndërsa Dejan Ristiç ministër për Informim. Në qeveri do jenë pesë ministra pa portofol.