Dardanët: Siç e kemi traditë, nuk do ta ofendojmë kundërshtarin

Tifozët e Kosovës “Dardanët” kanë premtuar se nuk do ta ofendojnë kundërshtarin e së hënës, respektivisht Malin e Zi. Ata e presin suksesin e radhës nga djelmoshat e Bernard Challandesit

Kosova do ta zhvillojë të hënën njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme në Grupin A, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020.

“Dardanët” do ta presin Malin e Zi në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, derisa janë në garë për ta kapur pozitën e dytë, e cila çon direkt në Evropian.

Dhe, tifozët e Kosovës “Dardanët” e kanë bërë një premtim të madh, duke u zotuar se nuk do ta ofendojnë kundërshtarin e së hënës, siç e do zakoni dhe tradita e tyre, përkundër faktit se bëhet fjalë për një lojë të ndjeshme.

Më poshtë mund ta lexoni njoftimin e “Dardanëve”:

“Të hënën me 14 tetor, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ Kosova përballet me Malin e zi, ndeshje kjo që mund të jetë vendimtare për rrugëtimin e Kosovës në Euro2020. Me besimin në fitore, ne Dardanët, do t’i përkrahim djelmoshat tanë prej sekondës së parë e deri në fund. Me besimin se kështjella e quajtur ‘Fadil Vokrri’ mbetet e pamposhtur, ne do të jemi lojtari i 12-të i Kosovës. Me besimin në djemtë tanë në krye me Challandes, nuk do të ndalemi së brohorituri. Njëkohësisht, siç e kemi traditë, nuk do ta ofendojmë kundërshtarin. Kemi dhënë besën. Për Kosovën, dashurinë tonë të përjetshme. Të gjithë anëtarët e tifo-grupit ftohen të tërheqin biletat e tyre deri ditën e diel. Biletat janë vetëm për anëtar”.

loading…