“Dardanët” nisen për në Austri

Ekipi kombëtar i Kosovës do ta zhvillojë nesër ndeshjen e dytë miqësore të qershorit ndaj Maltës

Kombëtarja e Kosovës në futboll është nisur sot për në Austri, ku nesër në Klagenfurt do ta zhvillojë ndeshjen e dytë miqësore të këtij muaji kundër Maltës. Për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen kundër San Marinos me ekipin nuk ka udhëtuar Lorik Emini, njofton Federata e Futbollit të Kosovës.

Ndërkaq, me leje të përzgjedhësit Bernard Challandes nga grumbullimi janë liruar Vedat Muriqi dhe Samir Ujkani. Dardanët pasditen e sotme do ta zhvillojnë stërvitjen në Klagenfurt, ndërkohë që ndeshja me Maltën luhet të premten në orën 18:00. Kosova e mposhti San Marinon të martën mbrëma me rezultat 4:1 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa nesër e zhvillon miqësoren e dytë.

Më pas, ekipi kombëtar i Kosovës, i përbërë kryesisht nga lojtarët e Superligës dhe nga disa prurje të reja, që shihen me potencial për të ardhmen, do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje miqësore në Antalya të Turqisë, ndaj Guinesë më 8 dhe kundër Gambisë më 11 qershor.