Mbrojtësi brazilian Dani Alves pretendon se i kishte refuzuar ofertat e Manchester Cityt dhe Chelseat, ndërsa është i vendosur që të luajë në Premier League para përfundimit të karrierës.

Anëtari i PSG-së është pranë rikthimit nga lëndimi që e pësoi në ligament majin e kaluar, teksa ka shprehur adimirimin e tij për futbollin anglez.

“Ideja që do ta përfundoj karrierën pa luajtur në Premier League nuk është e mundur. Sigurisht se atje është futbolli më i mrekullueshëm në botë. Së pari për respektin që tifozët kanë për futbollistët dhe pastaj për pasionin në fushë. Nëse do të luaja do të ishte perfekte, por në një mënyrë apo tjetër unë do ta realizojë këtë synim”, nënvizoi Alves.

Ish mbrojtësi i Barcelonës kishte kritika në drejtim të bashkëlojtarëve të tij te Paris Saint Germain, teksa tha se nuk janë të vetëdijshëm për rëndësinë e Champions Leagues duke ndikuar këtu edhe komoditeti që sjell kampionati francez.

“Në skuadrat tjera ku kam luajtur si Barcelona apo Juventusi, kishim dy skuadra për dy kompeticionet. Nuk ka shumë klube që kanë ekip më të mirë se PSG, por problemi është që ata duhet ta kuptojnë rëndësinë e Champions Leagues. Janë shumë rehat në Ligue 1, nuk e besoj se ishin të vetëdijshëm me kë po përballeshin në ndeshjen me Liverpoolin, dukej ashtu”, përfundoi Dani Alves.

PSG ka grumbulluar 5 pikë pas 4 xhirove në grupin C të Champions Leagues, me një pikë më pak se Liverpooli dhe Napoli që kryesojnë.