“Danas”: Rusia po e shantazhon Daçiqin që të mos e mbështesë planin evropian për Kosovën

Partia Socialiste e Serbisë, gjegjësisht lideri i saj Ivica Daçiq, është shantazhuar nga Rusia dhe nuk guxon të qëndrojë prapa propozimit franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Ky është i vetmi “shkas” i tensioneve mes presidentit të Serbisë dhe të SNS-së, Aleksandar Vuçiq dhe kreut të socialistëve.

Kështu e interpretojnë bashkëbiseduesit e gazetës serbe “Danas” nga burime diplomatike ndarjen aktuale mes partnerëve në koalicionin qeverisës SNS dhe SPS.

“Sherri i ri mes SNS-së dhe SPS-së ndoshta është shkaktuar nga kushti i Rusisë ndaj Partisë Socialiste të Serbisë që të vazhdojnë të mbajnë distancë nga propozimi evropian për Kosovën. Nuk duket se gjithçka do të zgjidhet shpejt, duke marrë parasysh se deri ku ka shkuar e gjithë ‘marrëveshja’”, mendojnë bashkëbiseduesit e “Danas”-it, transmeton Klankosova.tv.

Drejtuesi i SPS-së synon tregun

Mirëpo, bashkëbiseduesit e këtij mediumi besojnë se Ivica Daçiq, megjithatë, më parë do të dorëzohet nën presionin e Aleksandar Vuçiqit, sepse, siç thonë ata, “nuk ka zgjidhje”.

Në pyetjen se pse Ivica Daçiq po i ekspozohet këtij konflikti me Aleksandar Vuçiqin nëse është e qartë se në fund do të dorëzohet, bashkëbiseduesit e “Danas” thonë se lideri socialist serb “synon tregun”.

Më tej ata shpjegojnë se ashtu siç Vuçiq e mban Daçiqin në grusht, njëjtë e mban edhe Rusia.

Rusët me siguri kanë dosje komprometuese për Daçiqin

“Rusët sigurisht kanë dosje komprometuese për Daçiqin, dhe është pothuajse e sigurt se bëhet fjalë për para”, besojnë bashkëbiseduesit e “Danas”-it, të cilët nuk kanë dashur të flasin publikisht për këto pretendime, si pasojë e natyrës së punës që bëjnë.

Sipas “Danas”-it, Partia Socialiste e Serbisë është e sigurt që merr para nga Federata Ruse, përveç faktit të qartë se partia financohet përmes marrëveshjeve të naftës në Serbi.

“Daçiqi tani do të duhej të thoshte se burimi kryesor i financimit do të ndërpritet”, përfundojnë bashkëbiseduesit e “Danas”-it.

Gazeta serbe kujton se duke folur për problemet që ka me Partinë Socialiste të Serbisë, presidenti i Serbisë e krahasoi atë parti me pjesën e djathtë dhe nacionaliste të opozitës, të cilët janë rreptësisht kundër zgjidhjes evropiane për Kosovën.