Komuna e Prishtinës po vë në rrezik shëndetin e nxënësve që ulën në bankat e rreth 100 objekteve shkollore.
Që nga mesi i vitit 2018 e deri më tani, komuna nuk e ka bërë dezinfektimi, dezinsektimin dhe deratizimi e institucioneve arsimore, që ndryshe njihet edhe si programi “DDD”.
Eliminimin e brejtësve dhe insekteve, të cilin komuna e bënë çdo vit në shkolla dhe çerdhe, në vitin e kaluar nuk e bëri për shkak të shkeljeve të procedurave tenderuese që ndodhën nga autoriteti kontraktues (komuna e Prishtinës) në tentimin për të lidhur kontratë me kompani të caktuara, shkruan lajmi.net.
Që nga viti i kaluar, tenderi për “DDD” ka ngelur duke u gjykuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit –(OSHP), për shkak se komuna tentoi të lidhë kontratë me një kompani të caktuar të cilën e shpall fituese çdo vit, ani pse kishte ofertuar çmimin më të shtrenjtë.
Duke parë ankesat e një pas njëshme në OSHP, komuna vendosi që të lidhë një kontratë të negociuar me kompaninë që kishte ofertuar çmimin më të shtrenjtë prej rreth 23 mijë euro, por në negocim, kompania e ofroi çmim tri herë më të ulët, dhe tani pritet që komuna të nënshkruaj kontratë më të. Kjo mund të ngjallë dyshime për kualitetin e ofrimit të shërbimeve, meqë në dy raste e ofertimit hapësirat për “DDD” janë të njëjta.
Shpallët fitues kompania më e shtrenjtë, e ndalë OSHP-ja
Për këtë tender komuna kishte bërë oferte të hapur publike në fillim të muajit prill të vitit 2019 dhe synimi ishte që të kryhej spërkatja e institucioneve arsimore rreth muajit korrik.
Për këtë ofertuan 4 kompani: 1. N.SH “Preventiva” nga Mitrovica me çmim prej 12, 671.56 euro, 2.”Samire Osmani B.I” nga Suhareka me çmim prej 18, 479.00 euro, 3.”Vlera” SHPK & “Eko Dez Doo”, Shtime -Beograd, me çmim prej 9,767.66 euro, dhe kompania “Eko DDD” nga Ferizaj me çmim prej 23, 759.18 euro.
Kriter kryesore për dhënie të kontratës ishte çmimi më i lirë, por komuna i eliminoi të gjitha ofertat duke i shpallur si të pa përgjegjshme dhe e shpalli fitues ofertën më të shtrenjtë të kompanisë “Eko DDD” në vlerë prej 23, 759.18 euro.
Në OSHP, ishte ankuar kompania “Vlera”, pasi ishte eliminuar nga komuna me pretendimin se nuk e kishte qarkullimin bankar në vlerë prej 50 mijë eurove dhe se nuk kishte staf të specializuar. OSHP-ja ia kishte miratuar ankesën, duke vlerësuar se ishte e përgjegjshme dhe kishte rekomanduar komunën që të kthejë në rivlerësim tenderin.
Komuna i kishte kthyer në rivlerësim ofertat, dhe e kishte shpallur fitues prapë kompaninë njëjta. Kjo pasi konsideronte se kompania “Vlera” kishte ofertë administrative të papërgjegjshme, pasi komisioni komunal në një çmim për njësi kishte hasur me tre numra pas pikës dhjetore, dhe se kompania nuk kishte staf profesional. Por, edhe këtë pretendim, OSHP-ja e kishte hedhur poshtë dhe e ka urdhëruar autoritetin kontraktues që lëndën ta ktheje përsëri në rivlerësim, pasi konsideronte që ishte diskriminuar kompania “Vlera”.
Në rivlerësimin e tertë të këtij tenderi, në muajin nëntor të vitit 2019, mbi bazën e rekomandim të OSHP-së komuna e ka shpallur fitues kompaninë “Vlera” e cila ishte në konsercium me kompaninë nga Beogradi “Eko Dez Doo”. Kjo kompani e kishte mbështetur kompaninë “Vlera” vetëm me dokumentacion.
Mirëpo, me vendin e OSHP-së, të cilin e kishte zbatuar komuna nuk është pajtuar kompania “Eko DDD”, që ishte shpallë fitues dy herë. Ajo është ankuar fillimisht pranë autoritetit kontraktues, por meqë i ishte hedhur poshtë ankesa, është ankuar më pas në OSHP. Aktualisht lënda ndodhet në fazën, ku është duke e kryer punën e tij eksperti shqyrtues që më pas t’i dërgohet Panelit për gjykim.
Standardi i dyfishtë i komunës
Duke parë që tenderi ka ngecur në OSHP, komuna e shfrytëzojë mundësin e Ligjit të Prokurimit për situatat e jashtëzakonshme që të kryhen punët tenderuese me procedurë të negociuar pa publikim të kontratës.
Komuna nuk e ka publikuar asnjë informatë në KRPP lidhur më këtë tender. Por, lajmi.net ka mësuar se ofertat u janë dërguar tri kompanive: “Vlera”, “Eko DDD” dhe “Preventiva”. Autoriteti kontraktues vendosi të lidhë kontratë me kompaninë e cila ofertojë më çmimin më të lirë, e që ishte kompania “Eko DDD”. Ne këtë rast, Komuna ka vepruar në kundërshtim me vetën, duke përdorur standarde të dyfishta vlerësimi, ku për tenderin e parë të hapur e këtë të fundit me procedurë të negociuar e ka përzgjedhur të njëjtën kompani, e cila njëherë kishte ofertë më të shtrenjtë e herën e dytë, trefish më të lirë.
Nëse në ofertën e hapur kjo kompani kishte ofertuar mbi 23 mijë euro, oferta e saj për të njëjtat kushte ishte tri herë më e lirë, ose fiks 7.427, 99 euro.
Në tenderin hapur, komuna e kishte përzgjedhur kompaninë më të shtrenjtë me arsyetimin se kompanitë tjera nuk posedonin dokumentacion e kërkuar në tersi dhe se brenda atij çmimi që ishte më i lart do të ofroheshin shërbime më cilësore.
Lidhur me këto veprime të komunës, është shkelur neni 61 i Ligjit të Prokurimit Publik -“tenderi jo-normalisht i ulët”. Kjo ngase, sipas legjislacionit në fuqi për “tender jo-normalisht të ulët, autoriteti kontraktues nuk ka kërkuar nga kompania që të japë sqarime të detajuara për kryerjen e këtij procesi me çmimin e ofertuar. Pra, sipas legjislacionit në fuqi, prokurimi do të duhej që të përdorte “shkresat standarde për tenderët jo-normalisht të ulët” dhe të bëhej verifikimi ekonomik.
Ky çmimi i ofruar përpos që nuk lenë kosto të fitimit, nuk i arsyeton as mjetet e shpenzuara për këtë tender.
Lajmi.net ka mësuar se në ankesën që kanë bërë pranë autoritetit kontraktues operatoret ekonomik lidhur më këtë çmim, në arsyen e refuzimit, komuna u është përgjigjur se “Autoriteti kontraktues nuk ka komoditet për analizë të çmimit të ofruar”.
Nëse në tenderin e parë vlera e parashikuar e kontratës nga ana e komunës ka qenë 25 mijë euro, në ofertën e negociuar është zbritur në 20 mijë euro.
Me çfarë çmimesh u kryen shërbimet e “DDD” -së viteve të kaluar
Sipas të dhënave të dosjes së tenderit, tek “njoftimi për kontratë” i procedurës së hapur, sipërfaqja e institucioneve arsimore në vitin 2019, ka qenë 263,990.92 m2, nga to 75 shkolla dhe 15 institucione parashkollore. Kontrata me procedurë të negociuar po pretendohet të lidhet në vlerë prej 7427 euro, por aktualisht edhe kjo është në fazën e ankimimit, por pritet të lidhët në javën e ardhshme meqë ka qenë procedurë e negociuar.
Në vitin 2018, “DDD” i institucioneve arsimore të Komunës së Prishtinës, ishte bërë në 75 shkollave dhe 15 institucioneve parashkollore. Sipërfaqja e shkollave gjithsej ka qenë 201208.4 m2, ndërsa e institucioneve parashkollore 16391.26 (shërbimi duhet te kryhet dy herë në vit). Në kontratë parashihej edhe “DDD”-ja aty ku mund të shfaqet ndonjë problem gjatë vitit në institucionet arsimore me sipërfaqe 30000 m2. Kontrata e nënshkruar, e cila ishte edhe e fundit për këto punë ka qenë në vlerë prej 23,759.18 dhe ishte nënshkruar me kompaninë e njëjtë “Eko DDD”. Ky çmim është i njëjtë që kjo kompani ka ofertuar e hapur vitin 2019, por tenderi ndodhet në OSHP, ndërkohë më negocim e rrezoi çmimin për tre fish.
Në vitin 2017, totali i hapësirave të institucioneve arsimore kanë qenë rreth 100, që u janë kryer këto shërbime, dhe hapësira ka qenë në 234,069.92 m2. Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 30 mijë euro, ndërsa çmimi i fituesit me të cilin ishte lidhur kontrata ka qenë 25,747.69 euro
Në vitin 2016 këto shërbime janë kryer në gjithsej 85 objekteve arsimore dhe kontrata ishte lidhur me 27.06.2016, me kompaninë N.SH.T. “Doctor Exterminator D.D.D” në vlerë prej 22,425.24 euro. Fondet e planifikuar te komunës kanë qenë në vlerë prej 55 mijë eurove.
Programi “DDD”
Programi i dezinfektimit ndërmerret për asgjësimin dhe parandalimin e insekteve zvarritëse, të dëmshme (buburrecat, milingonat, mizat, grerëzat, furrtaret etj)
Dezinsektimi i ambientit ka si qëllim parandalimin dhe asgjësimin e insekteve fluturuese, me qëllim të shkatërrimit të mikroorganizmave patogjene dhe parandalimit të sëmundjeve infektive në ambientet që na rrethojnë.
Deratizimi i ambientit, ndërmerret për asgjësimin dhe parandalimin ku dyshohet prania e brejtësve.







