LDK

Dalja e ulët në votime, Haziri: Ky duhet të jetë shqetësim shumë i madh për Qeverinë dhe Republikën

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar lidhur me daljen e ulët të qytetarëve në votimet e sotme në veri të vendit.

Haziri ka thënë se kjo duhet të jetë shqetësim shumë i madh për Qeverinë dhe Republikën.

“Ky është “shkarkim plebishitar” i kryetarëve legalë, por pa legjitimitet”, ka shkruar Haziri.

Nënkryetari i partisë opozitare është shprehur se lojaliteti ndaj ftesës së presidentit serb për bojkot nuk u përfill nga 85 + qytetarë.

“Ku mbeti de-eskalimi, përfundimi i bojkotit apo edhe dialogu me serbët e Kosovës në vend të dialogut me Serbi?!”, ka përfunduar Haziri.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur detajet se pjesëmarrja e votuesve është minimale në katër komunat e veriut.

“Në Leposaviq kanë votuar 46 votues, në Zubin Potok shtatë votues, në Zveçan asnjë votues dhe në Mitrovicën e Veriut 32 votues”, ka thënë Radoniqi.

Ai ka thënë se duke u mbështetur nga të dhënat që kanë pranuar, qendrat e votimit vazhdojnë të jenë të hapura.

Në emër të KQZ-së ai i ka ftuar të gjithë qytetarët e këtyre komunave që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit.

Kujtojmë që sot në katër komunat veriore të vendit votohet për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Në listën e qytetarëve me të drejtë vote janë 46 mijë e 556 votues.