Dalin detaje nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit në Shqipëri

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dha detaje nga mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurimit. 

Njoftohet se në mbledhje u theksua se sulmet keqdashëse, të sponsorizuara nga qeveria e Iranit, duhet të bëjnë bashkë të gjithë aktorët institucionalë, politikë e shoqërorë për të analizuar situatën e sistemeve elektronike.

“Sulmet kibernetike të muajve të fundit, niveli i cënimit të sistemeve elektronike shtetërore dhe masat që janë marrë dhe po merren nga strukturat përgjegjëse ishin objekt i diskutimeve të hollësishme në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit Kombëtar”, the Begaj në një njoftim në rrjetet sociale.

“Këto sulme keqdashëse, të sponsorizuara nga qeveria e Iranit, duhet të bëjnë bashkë të gjithë aktorët institucionalë, politikë e shoqërorë për të analizuar mangësitë dhe trajtuar sigurinë kibernetike të gjithë infrastrukturës kritike të vendit, si një element thelbësor të sigurisë kombëtare”, shtoi Presidenti.

Në takimin e sotëm, ministra dhe përfaqësues të lartë të institucioneve përgjegjëse raportuan mbi analizën e deritanishme të situatës, planet dhe masat, që po ndërmerren për adresimin e mangësive të vërejtura në infrastrukturë dhe kapacitete.

“Mbështetja e ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe agjencitë e ndryshme amerikane, që kanë punuar e po punojnë me ne, ka qenë thelbësore për identifikimin e tipologjisë së agresionit kibernetik dhe kundërpërgjigjen tonë”, tha më tej Begaj.

“Bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar me të gjitha vendet partnere, NATO-n, dhe BE-në duhet të vazhdojë, me qëllim rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, kundërvepruese e parandaluese dhe mospërsëritjen e sulmeve të tilla në të ardhmen”, tha Presidenti në përmbyllje të postimit në Facebook.

Në mbledhjen e sotme ishte i pranishëm edhe kreu i qeverisë, Edi Rama. Këshilli i Sigurisë përbëhet nga 14 anëtarë dhe kryesohet nga Presidenti i Republikës.

Anëtarët e tjerë të tij janë kryetari i Kuvendit, kryeministri, 7 ministra—i Mbrojtjes, Drejtësisë, Punëve të Brendshme, Financave, Transportit, Punëve të Jashtme dhe Energjisë.

Anëtarët janë edhe Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Ligji i jep të drejtën Presidentit të “ftojë pjesëmarrës të tjerë” në mbledhjet e Këshillit, por që nuk gëzojnë të drejtat e anëtarëve.

Për herë të fundit, Këshilli i Sigurisë Kombëtare është mbledhur nga ish-presidenti Ilir Meta në 14 shkurt 2022, për shkak të tensioneve Rusi-Ukrainë.