Daka i propozon PZAP-it ta obligojë KQZ-në që ta certifikojë listën e VV-së, pa Kurtin dhe të tjerët të dënuar

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka komunikuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për moscertifikim të listës së kandidatëve për deputetë.

Siç mëson KOHA, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në përgjigjen ndaj PZAP-it, ka propozuar që ankesa e VV-së të aprovohet pjesërisht, duke i certifikuar vetëm kandidatët që i përmbushin kushtet ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Të pacertifikuar do mbesin pesë kandidatë të VV-së, përfshirë edhe kandidatin për kryeministër, Albin Kurtin.

“Ne propozojmë që ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje të aprovohet pjesërisht dhe të obligohet KQZ-ja të certifikojë kandidatët të cilët i përmbushin kushtet ligjore nga neni 29 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndërsa të refuzohet sa i përket pesë kandidatëve të cilët nuk i përmbushin kushtet ligjore të këtij neni”, thuhet në letrën e Dakës drejtuar PZAP-it.

KQZ-ja pohon se ka bashkëpunuar me institucionet të cilat kanë rolin e tyre në verifikimin e përputhshmërisë së kandidatëve.