Daja i matur para takimit me Klaksvik: Nuk ka favorit, duhet të arrijmë rezultat pozitiv

Kryetrajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka folur në një konferencë për media në prag të ndeshjes së parë të rrethit të tretë kualifikues në Ligën e Konferencës kundër ekipit nga Ishujt Faroe, KI Klaksvik.

Trajneri shqiptar tha se në këtë përballje nuk ka favorit, ndërsa ka shtuar se ekipi i tij duhet të arrijë rezultat pozitiv ndaj ishullorëve.

“Në raundin e tretë nuk ka ndeshje të lehta, sepse ekipet apo ekipi që e kemi përball është i disiplinuar. Mendoj se duhet të jemi të përqendruar dhe ekuilibruar pasi gjithçka mund të vendoset nga detajet, ashtu siç na ndodhi me Zalgiris. Duhet të jemi cinikë, të shfrytëzojmë rastet dhe të arrijmë rezultat pozitiv. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe nuk mund të them se jemi ne apo kundërshtari favorit. Ekipi që do të ketë përqendrim maksimal do të shkon drejt objektivit. Shpresojmë të kemi fatin dhe të marrim fitore”, tha Daja në konferencë.

Ballkani dhe Klaksvik takimin e parë e luajnë në stadiumin “Fadil Vokrri” të enjten mbrëma me fillim nga ora 20:00.

Në konferencë përveç Dajës ishte i pranishëm dhe foli edhe mesfushori, Nazmi Gripshi.