Gazeta britanike Daily Mail ka publikuar listën e ngjarjeve historike që kanë ndodhur ndër vite në datën 15 nëntor.
E në mesin e ngjarjeve të rëndësishme, është përmendur edhe dita e zgjedhjeve të para lokale të mbajtura në Kosovë, pas shpalljes së Pavarësisë.
Kosova ishte shpallur shtet i pavarur më 17 shkurt 2008, ndërsa zgjedhjet e para lokale pas shpalljes së pavarësisë ishin mbajtur me 15 nëntor të vitit 2009.
Zgjedhjet ishin organizuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Kosovë, dhe ishin zhvilluar në 36 komuna të Kosovës.
Në këto 36 komuna ishin përfshirë edhe 3 komunat e reja të krijuara me shumicë serbe, si pjesë e planit të decentralizimit.
Entuziazmi i participimit politik ishte shumë i madh, duke marrë parasysh interesimin për pjesëmarrje në zgjedhje, shkruan Ballkani.info.
KQZ-ja kishte njoftuar se janë regjistruar gjithsej 76 subjekte politike, ku përfshiheshin, 37 parti politike, 15 kandidatë të pavarur, 18 iniciativa qytetare dhe dy koalicione. 34 subjekte kishin qenë të komunitetit shqiptar, 21 nga komuniteti serb dhe subjektet e tjera nga komunitetet e tjera.
Në zgjedhjet e para pas pavarësisë, ishin organizuar 750 vendvotime në vende të ndryshme të Republikës.
Për sigurinë dhe ecurinë e zgjedhjeve ishin përkujdesur Policia e Kosovës dhe EULEX-i, ndërsa KFOR-i kishte thënë se nuk ka ndonjë plan të posaçshëm pasi që procesi po shkonte mirë dhe pa incidente. /Ballkani.info/








