Daçiq: U kthyem në gjendje para Brukselit, Serbia nuk është budallaqe

Duke komentuar deklaratën e Gabriel Escobar-it se SHBA do t’i njohin zgjedhjet në Kosovë, pa marrë parasysh nëse serbët i bojkotojnë ato, ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se kështu jemi “rikthyer në situatën para Brukselit”, kur nuk kishte rëndësi nëse serbët kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe në institucione apo jo.

I dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se SHBA do t’i njohin rezultatet e zgjedhjeve në katër komuna në veri të Kosovës, edhe pse serbët do t’i bojkotojnë ato dhe u bëri thirrje serbëve që të kthehen në institucionet e Prishtinës.

Daçiq RTV e Vojvodinës, ka deklaruar se “marrëveshja e re e Brukselit”, gjegjësisht pranimi i planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “nuk do të thotë as njohje de facto e as de jure e Kosovës, të cilin presidenti serb Aleksandar Vuçiq vetëm gojarisht ka pranuar por se ka theksuar qartë se vijat e kuqe janë mospranimi i pavarësisë së Kosovës dhe mospranimi i anëtarësimit të Kosovës në OKB”.

I pyetur se kush do ta nënshkruajë marrëveshjen e re të Brukselit, nëse vjen deri te kjo, Daçiq ka thënë se Marrëveshja e Ohrit thotë se “nuk është arritur zgjidhja për statusin e Kosovës, por se ka qasje të ndryshme për statusin, kështu që për Beogradin, “Kosova dhe Metohia është një krahinë autonome”, ndërsa për ta është e pavarur.

Duke komentuar vendimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që kërkesa e Kosovës për pranim të mos përfshihet në rendin e ditës të seancës së sotme, Daçiq ka thënë se nuk ndalen presionet për ta përfshirë atë në rendin e ditës.

“Më thanë se nuk do të ndodhë sot, por ndoshta do të ndodhë të premten”, pranon Daçiq

Duke komentuar akuzat e Kosovës se me lobimin në Strasburg kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Ohrit Daçiq ka thënë se “Serbia është e vogël por nuk është budallaqe. Presidenti Vuçiq ka thënë qartë se nuk do të zbatojmë atë për çfarë nuk jemi pajtuar”.