Ivica Daçiq

Daçiq thotë se zgjedhjet e reja në veri “do të stabilizojnë” gjendjen

Pas thirrjes së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që serbët e Kosovës të kërkojnë zgjedhje të reja në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, dhe pranimit të kërkesës nga Lista Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje, ka reaguar edhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili tha se “shumë nga komuniteti ndërkombëtarë duan të dëgjojnë që serbët të marrin pjesë në zgjedhje”.

“Zgjedhjet nuk do të zgjidhin të gjitha problemet, por qartazi do të stabilzojnë qeverisjen në ato katër komuna. Nuk do të kemi kuazi-kryetarë dhe serbët e punësuar në ato administrata do të jenë në gjendje të punojnë normalisht”, ka thënë Daçiq duke folur për RTS-në.

Daçiq tha se i takon komunitetit ndërkombëtar “të gjejë zgjidhje që serbët të jetojnë normalisht”; ndërsa këtë zgjidhje e quajti të arritshme përmes themelimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.