Daçiq: Serbët do të luftojnë për asociacionin, por jo me armë

Shefi i diplomacisë i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se asociacioni i komunave serbe është arsyeja e vetme pse pala serbe nënshkroi marrëveshjen e Brukselit.

Ai pas takimit me homologun e tij nga Maldivet në Beograd, ka thënë se Serbët kanë të drejtat e tyre legjitime që të mbrojnë interesin e tyre.

“Kurti kohë më parë ka deklaruar se ajo marrëveshje për të pothuajse nuk ekziston. Dua të përkujtoj se ne kemi nënshkruar marrëveshjen e Brukselit kryesisht për shkak të formimit të asociacionit të komunave serbe. Në vend të kësaj, vazhdimisht shmanget me veprime të njëanshme sikurse është ri-regjistrimi i automjeteve. Kurti ka folur në ato bisedime se shumica e serbëve do ta pranojë këtë, por siç e shihni pothuajse askush nuk e ka pranuar. Serbët kanë të drejtat e tyre legjitime që të mbrojnë interesin e tyre. Nëse shqiptarët me dekada kanë bojkotuar institucionet e Serbisë, atëherë kush mundet t’ua ndalojë serbëve. Koha do të tregojë nëse ekziston marrëveshja e Brukselit ose jo. Nëse nuk ekziston edhe ne atëherë do të dimë se si të sillemi…”, ka thënë Daçiq.

Ai ka thënë se serbët do të luftojnë për të fituar asociacionin, por nuk do të përdorin armët si mjet, ndërsa ka shtuar se serbët nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës sikurse edhe Serbia.