Ivica Daçiq

Daçiq: Pranimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare do të ishte rrezik i madh

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, edhe sot ka vazhduar propagandën e tij kundër Kosovës.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha sot në Strasburg se, Serbia kundërshton pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, transmeton lajmi.net.

Ai vlerësoi se kjo do të përbënte një shkelje të drejtpërdrejt të rendit juridik ndërkombëtar dhe të gjitha normave statutore të kësaj organizate evropiane.

“Ne konsiderojmë se çdo pranim i Kosovës  në organizata ndërkombëtare para përfundimit institucional të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës përbën një rrezik të madh për destabilizimin e të gjithë rajonit”, tha Daçiq, përcjell lajmi.net.

Sipas Daçiqit, pranimi i Kosovës në INTERPOL nuk ka asnjë shans që të nodhë pasi që siç shprehet ai, Kosova nuk e ka mbështetjen e plotë ndërkombëtare. Kjo për faktin se, sipas Daçiqit, një numër i madh i vendeve kanë ndryshuar qëndrimin e tyre karshi Kosovës.

Përmes njoftimit për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Daçiq citohet të ketë thënë se, deri në fund të këtij viti do të ketë edhe tërheqje të njohjes së Kosovës nga shtete të tjera, transmeton lajmi.net.

“Është shumë më mirë të drejtohemi në dialog sesa të përpiqemi të hyjmë në institucione të ndryshme ndërkombëtare në këtë mënyrë”, tha ministri, duke shtuar se shtatë vende tërhoqën njohjen e Kosovës këtë vit, duke përfshirë Lesothon dhe se deri në fund të vitit sipas, Daçiqit, numri i vendet që njohin Kosovën do të jenë më pak se 100.

Me rastin e përvjetorit të pranimit të Serbisë në Këshillin e Evropës, Daçiq vlerësoi se përfitimet e anëtarësimit për Serbinë janë “të mëdha”, para së gjithash në drejtim të harmonizimit të legjislacionit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë në kuptimin më të gjerë, ndërsa është e dobishme për qytetarët që të kenë juridiksion të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Daçiq po ashtu gjatë ditës së sotme ka biseduar me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, i cili sipas tij ka thënë se “respekton shumë kontributin e Serbisë në stabilizimin e mundësive të rajonit”, transmeton Ballkani.info.

Siç shkrujanë mediat serbe, Daçiq e ka njoftuar Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Këto komente, Daçiq i bëri në festimet e Strasburgut në nder të shënimit të 15-vjetorit të pranimit të Serbisë në Këshillin e Evropës (KE).