Ivica Daçiq

Daçiq përmend përsëri luftën teksa komenton furnizimin e Kosovës me “Javelin” – megjithatë e pranon se Serbia nuk ka si ta kundërshtojë një gjë të tillë

Ministri i Punëve të Jashtme në mandat teknik dhe kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Ivica Daçiq, ka komentuar lajmin se Kosova pritet të furnizohet me sistemet antitank Javelin.

Në këtë drejtim, ndonëse e ka pranuar se “Serbia nuk ka forcë ta ndalë një gjë të tillë”, ai ka vazhduar të “luaj të fortin” duke theksuar se “Serbia nuk ka ndërmend të bëjë luftë, por po të donte – Kosovën nuk do ta ndihmonin as një milion ‘Javelin’”.

Deklarata e tij për mediat serbe ka ardhur si koment ndaj njoftimit të ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, se SHBA do t’i dorëzojë Kosovës sistemet antitank Javelin, përcjell Telegrafi.

Një gjë e tillë, sipas Daçiq, nuk mund të shihet i izoluar.

“Bëhet fjalë për një partneritet strategjik afatgjatë për të ndihmuar pavarësinë e Kosovës. Gjithçka që ka ndodhur që nga viti 1999 duhet të merret parasysh. Epo, e njëjta Amerikë, por edhe të tjerat e armatosën UÇK-në. Dhe tani po bëjnë të njëjtën gjë”, citohet të ketë thënë Daçiq.

Ai shtoi se armatosja e Kosovës është e qartë “që synon forcimin e pavarësisë së Kosovës përmes forcimit të strukturave të saj të sigurisë”.

Por në një pjesë të deklaratës së tij, ai e ka pranuar se “Serbia nuk ka se si ta kundërshtojë” njëë gjë të tillë, ndonëse siç ka pretenduar ai, “kjo është në kundërshtim me Rezolutën 1244”.

“Serbia duhet të zhvillojë marrëdhënie me ato vende që e njohin pavarësinë e Kosovës dhe jo vetëm ta njohin atë, por edhe të punojë në promovimin e saj, madje edhe ta armatos atë. Ne duhet, sepse duam të ruajmë paqen dhe stabilitetin”, ka thënë më tej Daçiq.

Daçiq ka komentuar edhe deklaratën e ministrit të Jashtëm britanik, David Cameron, se “Serbia është përfaqësuese e Rusisë”, duke thënë se arsyeja e vetme për një deklaratë të tillë është se Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Ai kritikoi Kishën Ortodokse Serbe (KPS) për refuzimin e pranimit të vizitës së Papës në Serbi, sepse beson se ndikimi i Vatikanit është jashtëzakonisht i rëndësishëm në botë, duke theksuar se Vatikani (tani për tani) nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.