Ministri i jashtëm

Daçiq: Nuk do ta njohim Kosovën dhe “nuk do të lejojmë” anëtarësimin e saj në OKB

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka hedhur poshtë mundësinë e pranimit të planit franko-gjerman dhe ka theksuar se Serbia me siguri nuk do ta njohë Kosovën dhe as “nuk do të lejojë” pranimin e saj në Kombet e Bashkuara, raporton “Euronews Serbia”.

I pyetur se çfarë është patriotizmi kur bëhet fjalë për Kosovën dhe a do të thotë kjo pranim apo refuzim i planit franko-gjerman, Daçiq ka thënë se pavarësisht planit, “ai kurrë nuk do të pajtohet me humbjen e territorit”.

“Patriotizmi nuk shpjegohet me asnjë plan. Patriotizmi është dashuri për atdheun. Patriotizëm do të thotë që ne do të udhëheqim një politikë të jashtme të pavarur dhe sovrane. Dhe politika e jashtme duhet të jetë në funksion të politikës së brendshme. Nga ana tjetër, plani në vetvete nuk është i rëndësishëm, e rëndësishme është që ne të mos e njohim Kosovën si shtet të pavarur, ky është thelbi i gjithçkaje, pra a do të ketë një plan, një tjetër, të pestë, të dhjetë, kështu që kushedi sa plane ka pasur deri më tani. Ne nuk e pranojmë dhe kurrë nuk do të pajtohemi me atë që të humbim territor”, ka thënë Daçiq para zgjedhjeve serbe.

Shefi i diplomacisë serbe hodhi poshtë mundësinë e pranimit të planit, i cili, sipas tij, “nuk ka asnjë lidhje me realitetin”, pavarësisht nga interpretimet se kështu de facto do ta njohim pavarësinë e Kosovës.

“Mund të jetë diçka që i kënaq veshët e Prishtinës dhe ndoshta edhe shtetit të saj. Por sigurisht që nuk ka të bëjë me realitetin, nëse e keni dëgjuar atë çfarë ka thënë presidenti ynë. Unë i besoj presidentit tonë më shumë se kujtdo tjetër. Ai ka thënë se e ka përjashtuar pëlqimin e tij nga këto dy gjëra, çdo njohje de facto apo de jure e Kosovës dhe pranimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara. Kjo është diçka për të cilën Serbia nuk është pajtuar”, e shpreh servilitetin e tij të vjetër Daçiqi të cilin e ka përdorur më herët ndaj idolit të tij, kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq, e tani vetëm se e përsëritë këtë ndaj diktatorit tjetër serb, Aleksandar Vuçiqit.

Ai pastaj tenton “ta arsyetojë” manipulimin e shefit të tij gjatë bisedimeve të fundit për aneksin e Marrëveshjes në Ohër.

“Serbia u pajtua gojarisht dhe gojarisht nuk u pajtua, Serbia nuk nënshkroi asgjë, por angazhimi verbal i presidentit tonë ka forcën që është ligjërisht i vlefshëm. Por prandaj ai ka thënë dhe këmbëngul që me çdo deklaratë që bëjmë për atë plan të themi se i kemi përjashtuar pikëpamjet tona për këto dy parime, kjo do të thotë se nuk e pranojmë atë pjesë me të cilën nuk jemi pajtuar. Ne do të punojmë në zbatimin e pjesëve tjera, por vetëm pasi të formohet Asociacioni”, ka pretenduar Daçiq.