Daçiq: Kosova po mendon se në bisedimet me Serbinë do ta arrijë pavarësinë, kjo nuk do të ndodhë kurrë

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka deklaruar se arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është e mundur vetëm nëse Kosova tregon se e do kompromisin.

Ai për mediet ruse ka thënë se është e pamundur zgjidhja e çështjes së Kosovës pa marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës, por, Kosova beson se marrëveshja përfshinë vetëm njohjen e saj dhe me këtë gjë Serbia absolutisht nuk pajtohet, përcjell gazeta Danas e Beogradit.

“Absolutisht nuk pajtohem me këtë dhe kurrë nuk do ta bëjmë (njohjen). Nëse do kompromis jemi të gatshëm për bisedime”, citohet të ketë thënë Daciq.

I pyetur nëse po shqyrtohet skenari për këmbimin e territoreve ai ka thënë se ky është njëri nga skenarët por se nuk ka ndodhur, pasi Kosova vendosi taksa për mallrat nga Serbia e Bosnja, për këtë shkak Serbia e ndaloi dialogun.

“Po thonë se dialogun do ta vazhdojë vetëm nëse Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës. Kjo nuk do të ndodhë. Po presim të heqin taksën e pastaj të vazhdojmë bisedat”, ka thënë Daçiq.

Duke folur për marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, Daçiq ka thënë se Serbia përpiqet të bëhet anëtarë e BE-së por ka shtuar se kjo nuk do të thotë se duhet harruar marrëdhëniet tradicionale siç është Rusia.

“Duhet të mbrohen interesat tona kombëtarë e shtetërore, e Moska këtu gjithsesi se na ndihmon. Pos kësaj ajo na ndihmon ta ruajmë integritetin territorial lidhur me çështjen e Kosovës. Thënë më së buti është shumë gabim të vendosen sanksionet e Serbisë ndaj Rusisë ashtu siç kanë bërë vendet perëndimore”, ka përfunduar Daciq.