Ministri i jashtëm

Daçiq: Kam kërkuar që seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën të jetë e hapur

Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq, ka njoftuar sot se Guajana, si kryesuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka vendosur që seanca për Kosovën, e planifikuar për të enjten, të jetë e hapur.

Daçiq ka thënë për televizionin serb RTS, se pas bisedës që ka pasur me ministrin e jashtëm të Guajanës, ky vend, ka udhëzuar kreun e misionit në OKB të caktojë një seancë në format të hapur, pa votim.

“Ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht, por sipas informacioneve që kemi, Guajana ka vendosur që seanca të jetë e hapur, ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht në faqen e Këshillit të Sigurimit, por kemi marrë informacion nga ministri i jashtëm i Guajanës se anëtarët e Këshillit të Sigurimit kanë pranuar vendimin e Guajanës për të caktuar një seancë të hapur”, ka pretenduar Daçiq.

“Është shumë me rëndësi që presidenti ynë, Aleksandar Vuçiq, të flasë në një seancë të hapur dhe fjalimi i tij të jetë i dukshëm, që të gjitha “arsyet dhe argumentet” përse kërkuam seancë urgjente të dëgjohen nga të gjithë. Që të mos mendojnë se kjo është një përpjekje për të komplikuar situatën, përkundrazi ne do të ankohemi për shkeljen e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për “gjithçka që po ndodh me popullin serb”, për “terrorin ndaj të cilit janë ekspozuar”, për përpjekjen për të ndaluar dinarin”, ka pretenduar ai.

Daçiq ka thënë se “nuk i kupton” vendet që kërkuan seancë të mbyllur.

Ai ka pretenduar se në “dy ditët e fundit ka pasur lojëra intensive prapaskenash dhe presione brenda Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kryesuesja e këtij organi, që është Guajana, të caktojë praktikisht një seancë të mbyllur”.

“Vendet perëndimore dhe vendet e BE-së kërkuan që seanca të jetë e mbyllur për arsye që “i dinë vetëm ata”. Për ne kjo ishte një luftë shumë e vështirë që e fituam”, ka thënë ai.

Daçiq gjithashtu ka thënë se seancat e Këshillit të Sigurimit mund të jenë të mbyllura dhe të hapura, dhe ekziston edhe një variant i tretë i ndërmjetëm, i cili quhet “seancë private”, nga i cili mund të publikohet një deklaratë.

Kërkesa për caktimin e seancës me dyer të mbyllura, shtoi ai, është arsyetuar nga shtetet që e kanë kërkuar me faktin se kjo ka ndodhur edhe më parë në raport me Kosovën.