Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, si dhe deputeti i LDP-së, njëherit dhe kryetar i partisë, Çedomir Jovaniviq, janë përplasur sot ashpër në Kuvendin e Serbisë për shkak të Kosovës.
Daçiq e ka pyetur Jovanoviqin nëse ai në parlamentin serb përfaqëson Prishtinën apo popullin serb, duke e ftuar që në zgjedhjet e ardhshme të dalë si i pavarur.
Duke folur për raportet e fuqive të mëdha ndaj Serbisë dhe Kosovës dhe për situatën në Kosovë, Daçiq ka thënë se fuqitë e mëdha “goditën monstrumin politik në Prishtinë”.
Për këtë deklaratë ka reaguar Jovanoviqi nga ulësja e Kuvendit, duke thënë “O Zot”.
“Zoti Jovanoviq, nuk janë monstrumë ata që kanë dalë nga mali, të cilët në liri janë vetëm pse i kanë vrarë dëshmitarët. Nuk janë monstrumë ata të cilët personalisht kanë dhunuar dhe vrarë serbë në Kosovë. Për çfarë po flet ti?”, i ka thënë Daçiq, duke aluduar në Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, transmeton Ballkani.info.
Më pas ka shtuar se Jovanoviq në parlament është “vetëm pse ende nuk ka pasur zgjedhje”.
“Ose që nuk me keni vrarë ende?”, i është kundërpërgjigjur Jovanoviq.
Daçiq më pas e ka pyetur Jovanoviqin nëse në Parlamentin e Serbisë është përfaqësues i Prishtinës apo përfaqësues i popullit që jeton këtu.
Jovanoviqi ka thënë se në parlament ka hyrë me emrin e tij dhe jo “nën minifundin e Aleksandar Vuçiqit”.
“Ju keni thënë se pajtoheni për pavarësinë e Kosovës, vetë keni thënë se Republika Srpska është krijesë gjenocidiale. Dhe tash, a duhet të pajtohem me juve”, ka thënë Daçiq.
Përplasja e tyre ka vazhduar nga ulëset edhe pasi që Daçiq kishte përfunduar fjalimin e tij. /Ballkani.info/







