Seanca e OKB-së

Daçiq: As sot s’do të mbahet seanca e KS të OKB-së për bombardimin e NATO-s

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se as sot nuk do të mbahet seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me rastin e 25 vjetorit të bombardimeve të NATO-s.

Ai para gazetarëve në Kuvendin e Serbisë, pas konsultimit të përfaqësuesve të grupeve parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarit të trupave punuese parlamentare, ka thënë se Rusia ka kërkuar një seancë dhe se Japonia e ka caktuar atë seancë për sot, raporton N1.

“Unë isha gati të largohesha sot në mëngjes, por Franca njoftoi se do të kërkojë sërish votim procedural, kështu që seanca ndoshta nuk do të mbahet as sot dhe nuk e dimë nëse do të mbahet fare”, tha Daçiq.

Au shtoi se Franca është më këmbëngulëse për të mos e mbajtur atë seancë.

Sipas Daçiqit, përfaqësuesit e Serbisë kanë dashur të tregojnë të vërtetën e tyre për, siç tha, agresionin ndaj Serbisë dhe se janë të gatshëm të marrin pjesë në seancë kur dhe nëse është caktuar dhe se “është e qartë se dikush nuk dëshiron që ‘të dëgjohet e vërteta’”.