Covid-19 në Itali: Në 24 orët e fundit shënohet numri më i lartë i viktimave në 2 muaj

Rekord viktimash nga Covid-19 në Itali. Në 24 orët e fundit janë shënuar 24 viktima, shifër që nuk regjistrohej prej 2 muajsh, më konkretisht prej datës 7 korrik.

Lombardia është rajoni me numrin më të lartë të viktimave, ku 9 pacientë humbën jetën.

Të infektuarit e 24 orëve të fundit janë 1,638, duke shënuar një ulje me një ditë më parë kur numri i tyre ishte 1,907.

Në 24 orët e fundit janë kryer 103,223 tampone.

Pandemia po vë në vështirësi referendumin dhe zgjedhjet rajonale, transmeton oranews. Frika e infektimit ka bërë që mjaft anëtarë komisioni zgjedhjesh të dezertojnë e të heqin dorë nga pjesëmarrja e tyre.

Deri më tani në Itali janë shënuar 35.692 viktima e 296.569 të infektuar.