Me 22 të vdekur deri tash, Kosova është ndër vendet me raportin më të mirë në Evropë sa i përket të vdekurve për 100 mijë banorë si pasojë e koronavirusit.
Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, në Kosovë deri tash në 100 mijë banorë janë shënuar 0.65 vdekje. Vetëm tri vende të tjera në Evropë kanë raport më të mirë se Kosova. Ato janë Letonia me vetëm bilanc prej 0.25 të vdekur për 100 mijë banorë, Sllovakia me 0.4 e Ukraina me 0.56.
Fotografia e postuar nga mediat spanjolle tregon se në Evropë Spanja është vendi me raportin më të keq me gati 52 persona të vdekur për 100 mijë banorë.
Krahas këtyre të dhënave, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti, ka publikuar raportin edhe për të infektuar dhe të vdekur në një milion banorë.
Sipas grafikës së tij, në Kosovë janë Shqipëria e Mali i Zi në raport më të ulët në krahasim me Kosovën sa i përket të vdekurve për një milion banorë. Teksa në Kosovë 12 persona në një milion banorë kanë vdekur nga koronavirusi, në Mal të Zi e Shqipëri janë nga 11 të vdekur për një milion banorë.








