Covid-19 i merr jetën biznesmenes së njohur

Ditën e djeshme është ndarë nga jeta sipërmarrësja e sukseseshme në Durrës, Shpresa Prodani, pasi nuk mundi ta fitojë betejën me COVID-19.

Lajmin e ka dhënë, vajza e madhe e saj, Evis Prodani, në një postim në rrjetin social facebook.

“Mamasë, shoqes, dhe keshillueses me te mire qe mund te kishim kerkuar. E dime qe ti je me babin dhe do vazhdosh te na shohesh. Te duash shume!! RIP”,- shkruan ajo.

E lindur në Tiranë më 12 shkurt 1952, inxhinierja do të zhvendosej në Durrës pas martesës me Shpëtim Prodanin. Për shumë vite do të jepte kontributin e saj në arsimin profesional.

Shpresa Prodani mori drejtimin e kompanisë së transportit “DyrrahSped” në vitin 2004, menjëherë pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit.

Në të njëjtën ajo ishte një nga anëtaret më aktive të Rotary Club Durrës dhe në vitet 2016-2017 u zgjodh presidente e kësaj organizate.

Shpresa Prodani ishte edhe aksionere në kompaninë e sigurimeve SIGMA.

Është fituese e çmimit për kualifikim e menaxhim në Gjenevë të Zvicrës dhe përfaqësuese e Shqipërisë në forumin e parë të Detit të Zi për transportin dhe logjistikën mbajtur në Stamboll në dhjetorin e vitit 2011 nga UNDP-ja.
Duke vlerësuar aktivitetin e saj në fushën e biznesit, Bashkia e Durrësit dhe

Shoqata Durrësi, i akordoi Shpresa Prodanit, në vitin 2013 titullin e lartë “Nderi i qytetit.

Të panumërt kanë qenë mesazhet e ngushëllimit, për sipërmarrësen e njohur, Shpresa Prodani, e cila u nda nga jeta në moshën 69-vjeçare, duke lënë pas dhimbje, por edhe respekt e mirënjohje te familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e saj.

Varrimi i saj bëhet sot në ora 14.00, pas homazheve në sheshin qëndror të qytetit.