Covid-19: Edhe në Gjermani keqsohet gjendja, shumë vdekje brenda 24 orëve

Instituti për sëmundje ngjitëse “Robert Koch” raportoi se 149 persona kanë vdekur dhe 5453 janë infektuar me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit në Gjermani.

Kështu, numri i përgjithshëm i të infektuarve shkoi në 67 mijë e 366 persona, ndërsa numri i të vdekurve në 732, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Gjermania është një ndër shtetet me shifrën më të lartë të të prekurve nga koronavirusi në Evropë. Megjithatë, numri i viktimave në këtë shtet vazhdon të mbetet i ulët si përqindje në krahasim me shifrën e të infektuarve dhe në krahasim me shkallën e vdekshmërisë në disa vende tjera.

Më shumë viktima nga koronavirusi në Evropë janë shënuar në Itali, Spanjë dhe Francë. Italia dhe Spanja dje i shënuan mbi 800 viktima secila.

Virusi Covid-19 së pari u shfaq në Kinë në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa tash është përhapur në rreth 180 shtete e territore të botës.

Deri më tani, mbi 42 mijë njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 860 mijë janë infektuar me këtë virus në mbarë botën.