Philippe Coutinho nuk ka në plan të largohet nga Barcelona, të paktën jo gjatë merkatos së kësaj vere.
Futbollisti brazilian, që u transferua në janar të vitit të kaluar te “blaugranat” për shifrën e 150 milionë eurove, sipas zërave të fundit kërkohet nga disa klube të Premier Leagues, por për të rikthimi në Angli konsiderohet hap pas.
“Mendja ime aktualisht është vetëm te Barcelona dhe për asgjë tjetër. Rikthimi në Angli nuk është pjesë e planeve të mia për të ardhmen. Barcelona është shtëpia ime e dytë. Këtu kam fituar trofe dhe dua të fitoj të tjerë. Kam ambicie që vetëm ky ekip mund të m’i japë. Ndaj do të qëndroj këtu edhe sezonin tjetër”, – deklaroi Coutinho për “Sunday Mirror”
Ish-futbollisti i Liverpoolit e ka humbur disi shkëlqimin në “Camp Nou”, ku është e vështirë të spikatësh mbi Messin apo Luis Suarezin, por kjo situatë nuk e shtyn të kërkojë largimin.
“Nuk kam asnjë arsye përse të largohem. Unë jam i lumtur në Spanjë dhe jam në ekipin më të mirë në botë”.
Coutinho në këtë sezon ka luajtur si titullar në 19 nga 31 ndeshjet e skuadrës së Barcelonës në La Liga. Ai ishte titullar edhe të shtunën, në fitoren 2-0 që ekipi katalan arriti ndaj Atletico Madridit, duke hipotekuar titullin kampion.







