Ish ministri

Çollaku: Paralajmërimi i Macronit për vizat po ndodh për fajin e Albin Kurtit

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, e ka vlerësuar si shumë shqetësues paralajmërimin e presidentit francez për mundësinë e pezullimit të vendimit për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Ai ka bërë me dije se ky kërcenim po ndodh për fajin dhe gabimet e kryeministrit Albin Kurti.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Çollaku ka thënë se BE-ja duhet të gjej forma tjera për të ndëshkuar qeverinë për veprimet e gabuara dhe jo qytetarët.

Ai e ka ftuar Qeverinë e Kosovës që t`i zbatojë kërkesat e BE-së dhe marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut.

Në të kundërtën, sipas tij, taktika e qeverisë do të dështojë dhe presioni vetëm sa do të rritet ditëve në vijim.

Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi dhe friken e kryeministrit Kurti nga Marrëveshja e Ohrit.

Çollaku, presidenti i Francës, Emmanul Macron, ka paralajmëruar mundësinë e pezullimit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Si e keni parë këtë qëndrim të tij?

Çollaku: Paralajmërimi i bërë nga presidenti Macron lidhur me mundësinë e pezullimit të fillimit të zbatimit të vendimit për liberalizimin e vizave, është tepër shqetësues dhe një alarm tjetër për qeverinë aktuale e cila po heziton të përmbush kërkesat e BE-së dhe SHBA-së për de-eskalimin e situatës në veri të vendit. Sigurisht se një deklaratë e tillë, duhet të konsiderohet një masë shtesë e presionit ndaj qeverisë dhe kryeministrit Kurti, të cilët refuzojnë të sillen në mënyrë racionale, duke preferuar që me këmbëngulje të aplikojnë taktikat populiste për të ruajtur një grusht vota. Këto taktika populiste, tashmë janë provuar si të gabuara dhe në dëm të interesit tonë shtetëror.

Si ish-ministër i integrimit evropian, sa reale janë gjasat që të kemi pezullim të liberalizimit të vizave për Kosovë?

Çollaku: Nuk mendoj se ia vlen të spekulohet për këtë çështje. Kosova për më tepër se një dekadë është shteti i vetëm i izoluar në rajonin tonë. Tani që jemi shumë afër që qytetarët e shumëvuajtuar të përfitojnë nga lëvizja paviza në BE, ne ballafaqohemi me një paralajmërim apo kërcënim për mundësinë e shtyrjes së zbatimit të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Dhe krejt situata që përfshin sanksionet e BE-së që janë në fuqi dhe paralajmërimin e presidentit Macron, po ndodh për fajin dhe gabimet e kryeministrit Kurti. Sigurisht që BE-ja duhet të gjej forma që ta ndëshkoj qeverinë dhe kryeministrin për veprimet e gabuara të cilat kanë nxitur tensione dhe e kanë përkeqësuar situatën në veri të vendit. BE- ja duhet të ndëshkoj vetëm ata që janë përgjegjës për kaosin aktual, mirëpo nuk duhet të ndëshkoj qytetarët e pafajshëm duke i mbajtur edhe më tutje të izoluar.

Pra, në kohen kur Qeveria e Kosovës po kërkon largimin e masave ndëshkuese, shtetet e fuqishme të BE-së po paralajmërojnë masa më të ashpra ndaj Kosovës, nëse Qeveria nuk tregohet konstruktive në procesin e dialogut. Pse mendoni se po ndodh kjo?

Çollaku: Nuk ka asgjë të panjohur këtu. Kërkesat e BE-së dhe SHBA-së për deeskslimin e gjendjes në veri të vendit, janë të qarta. Në anën tjetër, qeveria dhe kryeministri Kurti nuk i kanë përmbushur qëllimisht ato kërkesa. Kjo qasje e papërgjegjshme e qeverisë është duke e irrituar BE-në dhe shtetet anëtare të saj. Tendencat e qeverisë për të manipuluar apo blerë kohë edhe më shumë me veprime të paqarta dhe të përgjysmuara, nuk do të sjell asnjë përfitim. Prandaj, për aq kohë sa nuk përmbushën tërësisht kërkesat e BE-së, sanksionet do të mbesin në fuqi dhe rrezikojmë që të ballafaqohemi edhe me ndëshkime shtesë. Kryeministri Kurti është i vetëdijshëm se ka pranuar një marrëveshje të keqe për Kosovën, dhe në këmbim të saj, Kosova nuk ka përfituar asgjë. Si rrjedhojë, kthimi në normalitet dhe zbatimi i marrëveshjes së arritur, nuk përkon fare me interesin personal dhe të partisë që udhëheq kryeministri Kurti. Asociacioni dhe autonomia e zgjeruar për serbët e cila është në thelb të marrëveshjes Kurti- Vuçiç, është ankthi konstant për Kurtin dhe partinë e tij.

 Çka do të duhej të bëj Qeveria për të iu shmangur masave tjera ndëshkuese?
Çollaku: Thjesht fare, duhen përmbushur kërkesat e BE-së dhe të filloj zbatimi i marrëveshjes së arritur. Tani, nga Qeveria e Kosovës kërkohet ti përmbush tri kushtet për deeskalim të situatës të vendosura nga BE-ja. Qeveria ka realizuar pjesërisht vetëm njërin kusht deri më tani. Kjo taktikë e qeverisë do të dështoj dhe presioni vetëm sa do të rritet ditëve në vijim.

Deri me tani, Qeveria e Kosovës i ka ndërmarr disa hapa për deeskalim të situatës në veri, të cilët ishin paraparë me marrëveshjen e Bratislavës, ndonëse ende nuk janë shpallur zgjedhjet e reja. Kur mendoni do të mund të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës?
Çollaku: Zyrtarët e BE-së e kanë bërë të ditur se sanksionet që janë në fuqi janë të përkoshme dhe të njejtat do të pezullohen në momentin kur BE-ja bindet se janë plotësuar kërkesat e saj. Prandaj, tani pezullimi i sanksioneve që janë në fuqi, varet nga shpejtësia e dorëzimit të qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Kurti. Sa më shpejt ndodhë një gjë e tillë, aq më mirë do të jetë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Në shtator pritet të kemi një përpjekje të re në procesin e dialogut Kosovës – Serbi. Mund të sjell diçka të re kjo përpjekje?
Çollaku: Paragjykimi i tillë do të ishte, thjesht një spekulim. Me gjithë këtë, përvoja e deritanishme në procesin e dialogut e Kurtit është dëshmi se mund të ketë zhvillime. Mos të harrojm, po flasim për kryeminstrin Kurti i cili në pushtet ka ardhur duke thënë se nuk do bëj negociiata me Serbinë. Transformimi i tij në kuadër të dialogut është radikal. Ai jo vetem që pranoi të negociioj, por shkoj edhe më larg duke bërë marrëveshje me Vuçiçin. Tani, atij i ka mbetur vetëm edhe zbatimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe ( autonomia) dhe kompetencat shtesë për kishën ortodokse serbe në Kosovë. Se a do ta bëj një gjë të tillë kryeminstri Kurti, mbetet të presim. Nuk mendoj se as vet e ka të qartë një gjë të tillë në ketë moment. Ajo çfarë është e qartë është se kjo qeveri dhe ky kryeministër i ka bërë Kosovës dëme të pariparueshme në aspektin ndërkombëtar dhe atë të mbrendshëm.