Çollaku: Kosova ta shfrytëzojë mundësinë për aplikim në KE, pas suspendimit të Rusisë

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë mundësinë që Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Evropës, pas sulmeve ndaj Ukrainës, dhe të aplikojë për të qenë pjesë e këtij institucioni evropian.

Megjithatë, ai thotë se kjo duhet të bëhet duke u koordinuar me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që të sigurohet se Kosova të mos dështojë, sepse vetëm suspendimi i Rusisë nuk mjafton.

“Mendoj që rezoluta e sotme e miratuar nga Kuvendi i Kosovës është një shtytje e re për institucionet shtetërore, respektivisht Qeverinë e Kosovës, duke “përfituar” nga situata e jashtëzakonshme e krijuar si pasojë e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe suspendimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës ta shfrytëzojmë këtë momentum për të bërë aplikimin formal gjithmonë me kujdesin më të madh dhe në koordinim me shtetet më të fuqishme, sepse nëse nuk ka koordinim suspendimi i Rusisë nuk mund të jetë i mjaftueshëm që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Patjetër që është momentum i cili duhet shfrytëzuar, por në mënyrë të koordinuar dhe të qetë, por është moment i volitshëm që të bëhet aplikimi formal dhe pastaj të lobohet te shtetet kryesore që edhe anëtarësimi të ndodhë”, tha Çollaku në Klan Kosova.

“Kosova e meriton që të jetë anëtar i Këshillit të Evropës, sepse prania e Kosovës në këtë organizatë do të tregonte përveç që Këshilli i Evropës përkrah Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, përkrah zhvillimin demokratik të Kosovës dhe lirinë e qytetarëve të Kosovës, do t’i sillte edhe përfitime të ndryshme Kosovës dhe mbi të gjitha, që për mua është më e rëndësishmja, do të ishte qasje në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut sepse do të ishte mundësi që për të gjitha padrejtësitë e bëra ndaj qytetarëve të Kosovës të ketë instancë më të lartë evropiane ku mund t’i adresojnë problemet e tyre. Qeveria do të duhej të ishte në krye të detyrës dhe t’i harmonizojnë veprimet e fundit dhe ta bëjnë aplikimin formal duke u koordinuar edhe me partnerët ndërkombëtarë që të mos ketë dështim, sepse dështimi eventual do të ishte një goditje që do të na kthehej bumerang”, deklaroi ai.