Cole: Ibrahimoviq i ka dy personalitete

Ashley Cole ka thënë se veterani i Milanit, Zlatan Ibrahimoviqi, i ka dy personalitete dhe se ndryshon krejtësisht kur del para gazetarëve.

Ish-reprezentuesi i Anglisë ka luajtur me Ibrahimoviqin te LA Galaxy, ndërmjet viteve 2018 dhe 2019.

Cole e kaloi një vit e gjysmë te Roma para se t’i bashkohej LA Galaxys në janar të vitit 2016. Dy vjet më vonë, skuadrës iu bashkua sulmuesi Ibrahimoviq.

40-vjeçari ka folur për kohën e Ibrahimoviqit te skuadra amerikane, ndërsa bëri të ditur se suedezi ishte shumë i sinqertë me shokët e skuadrës.

“Ai i ka dy personalitete. Me ne në dhomat e zhveshjes ishte i shkëlqyer, i qetë, kokulur. Por, para mediave ai ishte Zot”, ka thënë Come.

“Ka pasur edhe momente kur ai vinte në dhomat e zhveshjes dhe iu thoshte lojtarëve se e keni prekjen e topit të gabuar, nuk mund të vraponi, jeni të ngadalshëm. Personaliteti i tij para gazetarëve ndryshonte”, theksoi Cole.

Cole ishte kapiten te LA Galaxy dhe ka treguar se Ibrahimoviqi një herë e ka konfrontuar atë.

“Ai një herë i ngriti duart lartë dhe mu drejtua mua. Dhe unë i thash që t’i ulte duart dhe isha shumë serioz në atë moment, sinqerisht”, ka treguar Cole.

Ai më pas u pensionua në vitin 2019 pas rikthimit në futbollin anglez me Derby Countyn, por Ibrahimoviqi ende është në formën më të mirë me “rossonerët” në Itali.

Suedez po përgatitet për rikthim në fushë pas ndërhyrjes kirurgjike që e pati në gjurin e majtë. Pritet të luajë kundër Lazios në vikend dhe kundër Liverpoolit në Ligën e Kampionëve javën tjetër.