Çmimet e ndryshme të biletave në ski-liftet në Brezovicë, AKP jep detaje se pse ndodhi kjo

Pas më shumë se 20 vite, javë më parë Kosova mori zyrtarisht nën menaxhim “Brezovicën”, apo një nga vendet më të famshme turistike në vend.

Për shumë vite “Brezovica” ishte çështje problematike për t’u drejtuar nga shteti i Kosovës, e kjo çështje shumë herë ngriti edhe shqetësime nga më të ndryshmet.

Por pavarësisht kësaj, pas marrjes nën menaxhim, shumë qytetarë kanë shprehur shqetësime sa i përket pagesave të cilat kanë të bëjnë me ski-liftet.

Disa qytetarë kanë raportuar për çmime të ndryshme të biletave të cilat merren për të përdorur ski-liftin.

E lidhur me këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar si fillim Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Nga këta të fundit është theksuar se ski-lifti nuk menaxhohet nga MMPHI, e kësisoj as për çmimet e biletave që jepen për ski-lift nuk janë në përgjegjësi të tyre.

“Ju informoj se me teleferikun/ski liftin në Brezovicë nuk menaxhon MMPHI, rrjedhimisht as për çmimet e biletave që jepen për ski lift nuk janë në përgjegjësi të AMMK/MMPHI”.

E përgjegjësinë për këtë çështje e ka pikërisht Agjencioni Kosovar i Privatizimit.

Të kontaktuar nga lajmi.net nga AKP kanë deklaruar se çmimet e biletave dallojnë nga koha e shfrytëzimit të teleferikut, varësisht a është biletë për vetëm një shfrytëzim të tij, apo a është biletë ditore.

“Çmimet e biletave dallojnë nga koha e shfrytëzimit të teleferikut varësisht a është bilete për vetëm një shfrytëzim të teleferikut, a është bilete ditore, a është bilete javore apo për vetme gjysmë dite prandaj nuk janë çmimet e njëjta por dallojnë nga koha e shfrytëzimit të teleferikut dhe çmimet janë të vendosura në biletari”, u tha në përgjigjen e AKP-së.

Tutje është theksuar se këta të fundit tashmë kanë Bordin e Ri të Përkohshëm Menaxhues, i cili i raporton AKP-së dhe se për herë të parë janë vendosur edhe arkat fiskale në kuadër të Brezovicës.

“Tani kemi Bordin e Ri të Përkohshëm Menaxhues i cili i raporton AKP-së dhe për herë të parë kemi vendosur edhe arkat fiskale ku do të kemi një kontroll të qarkullimit por edhe të kryerjes së obligimeve ndaj shtetit për tatime dhe obligime tjera rrjedhëse”, u tha tutje në përgjigje.

E dikush prej qytetarëve që vendos të shfrytëzojë më pak ski-liftin do të paguajë katër euro, kurse të tjerët që vendosin të përdorin për disa herë brenda ditës do të duhet të paguajnë deri në 21 euro.

Kësisoj tash e tutje qytetarët në Brezovicë do të mund të marrin edhe faturat përmes arkës fiskale, si dhe detyruat ligjore nga bordi për funksionimin e tërësishëm të Brezovicës do të jetë në bazë të ligjeve të Kosovës, duke përfshirë këtu: Instalimin e arkave fiskale, raportimin financiar e operativ në AKP, deklarimin e rregullt të tatimeve të ATK-së si dhe zbatimin e ligjeve të Kosovës.

Më 13 janar 2022 Bordi i Drejtorëve të AKP-së ka emëruar Bordin e Ri të Përkohshëm Menaxhues për “Sharr, Brezovicë e Shtërpce”, në përbërje të gjashtë anëtarëve.

Kjo ndërmarrje me vendim të Bordit të Drejtorëve të AKP-së ishte vendosur më parë nën administrimin direkt të AKP-së, më 22 dhjetor 2020.

Edhe pse këtë vit ski-liftet janë lëshuar në funksionim më vonë se zakonisht, qytetarët kanë mundësinë e përdorimit të tyre për çdo ditë të javës.