Çka po ndodh! Nexhat Daci president konsensual i Kosovës?

Sipas një propozimi brenda koalicionit qeverisës, Nexhat Daci mund të rikthehet në skenë, si president konsensual i vendit. Gazeta Express mëson se ai është përmendur, e propozimi i tij ka marrë “aminin” e Presidentit Thaçi. Nuk dihet nëse do të bindet Ramush Haradinaj, e vetë Nexhat Daci i ka dhënë Gazetës Express një përgjigje rreth kësaj.

Çështja e Presidentit po i shkakton telashe koalicionit qeverisës, që nga formimi i tij, ani pse partnerët janë marrë vesh për të mos folur rreth kësaj teme në fillim.

Ndaras të gjithë kanë folur kryesisht për këtë temë. Ramush Haradinaj madje e ka shpallur kandidaturën, që nuk ia përkrahën partnerët.

Isa Mustafa dhe Haradinaj dje janë takuar pas disa javësh përplasje publike.  Gazeta Express mëson se është propozuar një emër për kandidat konsensual për President.

Bëhet fjalë për një nga figurat kryesore të politikës kosovare në vitet e pasluftës, ish-kryeparlamentarin e Kosovës dhe zyrtarin e lartë të LDK’së, Nexhat Dacin.

Daci në një prononcim për Gazetën Express ka thënë se nuk ka njohuri nëse është propozuar dhe se momentalisht është i tërhequr nga skena politike.

“Nuk kam informatë. Në këtë periudhë jam i tërhequr me problemet e mia. Nuk kam asnjë njohur dhe s’kam çka…”, tha ai.

Anëtari i Akademisë së Shkencave, i pyetur nëse do të pranonte të ishte kandidat për president, tha se tash nuk ka çfarë të thotë.

“Po e lëmë tash me kaq, pastaj shohim”, ka thënë Daci.

Gazeta Express mëson se presidenti Thaçi është deklaruar se për të është i pranueshëm emri i Nexhat Dacit.

Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, historikisht ka pasur raporte të mira me akademik Dacin.

Gjatë qeverisjes së tij, Haradinaj e kishte emëruar Arian Dacin, djalin e Nexhat Dacit zëvendësministër të Ambientit.

Nuk dihet nëse këto raporte do të mund t’ia thyejnë mendjen Haradinajt, që tashmë e ka shpallur vetën kandidat për President.

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, vazhdimisht po përserit se për president, koalicioni qeverisës duhet të vendosin krejt bashkë. E nëse s’merren vesh, Mustafa thotë se duhet shkuar në zgjedhje.

“Unë e shoh të arsyeshme që të gjithë të ulemi dhe të diskutojmë rreth kësaj çështje. Nëse nuk ka zgjidhje ne mund të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Mustafa dje në Pressing të Televizionit 7.

Mustafa, më herët nuk ka fshehur dëshirën “për ta përmbyllur karrierën politike” nga pozita e Presidentit. Megjithatë, ai tash duket se nuk ka të tilla synime më.

Mustafa dje ka thënë se nuk konsideron që i takon posti i Presidentit LDK’së, pasi e ka postin e kryeministrit.

 “Unë nuk shoh asgjë të keqe që AAK e ka ofruar Haradinajn president. Mirëpo nuk është mirë të kushtëzohet. Por, edhe sikur të kushtëzon LDK’në, kjo nuk do të mjaftonte”, ka thënë Mustafa.

Presidenti i ri i Kosovës duhet të zgjedhet më së largu deri në javën e parë të marsit të vitit 2021. Mirëpo, Tribunali Special mund ta ndryshojë periudhën e zgjedhjes.

Prokuroria Speciale në Hagë ka dorëzuar aktakuzë nda Presidentit Hashim Thaci në prill të këtij viti. Dhomat e Specializuara kanë afat deri në tetor ta konfirmojnë apo ta hedhin poshtë atë aktakuzë.

Presidenti Thaçi ka thënë se ai jep dorëheqje, nëse aktakuza e bërë publike konfirmohet.