Çka janë “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” që mbështetën nga Serbia për krijimin e trazirave në Kosovë?

Në bazë të ligjeve të Kosovës, nëse Mbrojtja Civile dhe Brigada Veriu sot janë shpallur organizata terroriste, dhe aktivitetet e tyre të mëtutjeshme do të kenë pasoja. Dënimi me burgim për terrorizëm në Kosovë është së paku pesë vjet, dhe nëse akti terrorist i ka shkaktuar lëndime të rënda fizike një ose më shumë personave, kryesi i krimit merr së paku dhjetë vjet burg. Rekrutimi dhe trajnimi i njerëzve për të kryer akte terroriste dënohet me burgim deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Çfarë është Mbrojtja Civile?

“Mbrojtja Civile” ka funksionuar në veri të Kosovës nga viti 2006 deri në vitin 2015/16, kur në bazë të informacioneve zyrtare u shpërbë në bazë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Mirëpo, “Civilna Zastita” ka vazhduar të ekzistoj edhe mëtutje në territorin e Kosovës, respektivisht në pjesën veriore.

Punëtorët e “Mbrojtjes Civile” më pas u integruan në institucionet e Kosovës.

“Mbrojtja Civile” në Serbi funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe roli i saj është të reagojë në situata emergjente, siç janë përmbytjet, tërmetet dhe të ngjashme.

Mirëpo, sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, “Mbrojtja Civile” në Kosovë përbëhej nga pjesëtarë të cilët kishin kaluar trajnime ushtarake dhe konsideroheshin shumë të rrezikshme për sigurinë e Kosovës.

Në fillim kishte rreth 500 anëtarë, por pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ky numër u rrit në mbi 750 në vitin 2013 dhe 2014.

Ndërkohë, Kosova pohoi se, sipas informacioneve nga institucionet e sigurisë, “Mbrojtja Civile” ekziston ende.

Shefi i policisë së Kosovës, Xhelal Sveçla pohon se pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës dhe sulmeve ndaj ushtarëve të NATO-s në kuadër të misionit të KFOR-it qëndrojnë pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”.

Për këtë arsye është arrestuar lideri i dyshuar i “Mbrojtjes Civile” në Kosovë, Milun Milenkoviq – Lune.

Veprimtaritë e mëparshme të Mbrojtjes Civile

Anëtarët e “Mbrojtjes Civile” u shfaqën publikisht në veri të Kosovës për herë të parë në vitin 2011.

Ata zakonisht patrullonin rrugët e Mitrovicës Veriore me uniforma të errëta ku mbi to ishte shkruar “Mbrojtja Civile”.

Kur u mbajtën zgjedhjet për herë të parë në nëntor 2013 në komunat e veriut të Kosovës sipas ligjeve të Kosovës, pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile” mund të shiheshin në vendvotimet, por policia e Kosovës më pas i largoi ata.

Sipas autoriteteve të Kosovës, pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile” kanë ngritur barrikadat e para në veri, për të mos lejuar pushtetin e qeverisë nga Prishtina në atë rajon.

Çfarë është Brigada e Veriut?

“Mos u shqetëso! Ne jemi këtu! Ne po presim!”.

Bëhet fjalë për grafite që janë shfaqur në mesin e gushtit të vitit 2022 nëpër komunat në veri të Kosovës, të cilat janë nënshkruar nga “Brigada e Veriut”.

Më pas, në një konferencë për media më 22 gusht, presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka “korrigjuar” gazetarin e televizionit N1 dhe ka thënë se këto grafite nuk janë nënshkruar nga “Brigada e Veriut” por nga “Brigadat e veriut”.

“Unë jam një person i saktë. Brigada e Veriut janë tifozë të Zvezdës”, tha ai atëherë.

Së shpejti, mbishkrimet në veri, të cilat bënin thirrje për rezistencë ndaj autoriteteve të Kosovës, në vend të “Brigadës së Veriut” filluan të nënshkruheshin realisht “Brigadat e Veriut”.

Ndërkohë në veri janë shkruar mbishkrime që tregojnë se “Brigada Veriu” ka pasur përkrahës të rinj.

“Brigada e Veriut po rritet dita-ditës”, shkruante njëri prej tyre.