Agjërimi i Ramazanit nuk ‘prishet’ vetëm nëse konsumojmë ushqim ose pije.

Ballkani.info ju sjellë këshilla nga Imami i Xhamisë së Madhe në Ferizaj, Mustafë Ahmeti, lidhur me faktin se çka e bën të ‘prishet’ agjërimi.

Sipas tij, përveq ushqimit dhe pijeve apo edhe gjërave të tjera të ngjashme që ushqejnë trupin, siç është serumi, gjilpërat, gjërat ushqyese (infuzioni) apo injeksioni i gjakut dhe transplantimi i tij e bën një musliman të mos ketë agjërim.

“Gjithashtu, marrëdhëniet intime, nxjerrja e spermës në mënyrë të vullnetshme apo përmes masturbimit, e vjellura e qëllimshme pra e vullnetshme, e prish agjërimin” pohoi Imami.

Ndërkaq të vjellurat jo të qëllimshme nuk e prishin agjërimin përkundrazi konsiderohet i saktë sipas hoxhës Mustafë Ahmeti.

“Agjërimin e prish edhe rrjedhja e gjakut të menstruacioneve dhe lehonisë qoftë dhe gjatë një momenti të ditës, madje edhe nëse ndodh një minutë para perëndimit të diellit, gjithashtu, hixhamja (nxjerrja e gjakut të keq nga trupi) apo dhurimi i gjakut. Ai që e ka të nevojshëm të japë nga gjaku i tij gjatë ditës së agjërimit, le ta prishë agjërimin dhe ta zëvendësojë me një ditë tjetër në vend të asaj dite. Cilido që vepron ndonjërën prej këtyre gjërave që e prishin agjërimin, duke mos e ditur dispozitën, nga harresa, apo nën efektin e detyrimit me dhunë, atëherë agjërimi i tij është i saktë”, shtoi ai.

Ballkani.info gjatë gjithë muajit të shenjtë të Ramazanit do të ju ofrojë këshilla profesionale, deri në përfundimin e agjërimit. /Ballkani.info/