Çitaku: S’na intereson fotografia, menyja e darka e Kurtit me Vuçiqin, por substanca – çfarë është folur?

E ftuar në emisionin DPT te Fidani, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se nuk i intereson ceremonia e takimit të kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Berlin.

Ajo ka thënë se duhet përqendruar te substanca e asaj që po negociohet, që do të jetë bazë për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk na intereson formaliteti, fotografia e as menyja që kanë pasur në darkë, ne duhet të përqendrohemi në substancë. Çfarë është folur, a ka ndonjë rezultat, a kemi një agjendë të saktë kohore dhe në fund fare shpresoj që kryeministri ta ketë kuptuar që ky dialog është i rëndësishëm dhe se ne Serbinë s’do të mund ta bindim kurrë”, ka thënë ajo para gazetarit Fidan Jupolli.

Çitaku ka sugjeruar që s’duhet humbur kohë për ta bindur Serbinë, por bashkësinë ndërkombëtare.

Serbia nuk është bindur as në Rambuje, as në Vjenë. Ne duhet ta bindim Bashkësinë Ndërkombëtare, duhet t’i bindim aleatët tanë se ne jemi serioz dhe të mundohemi të maksimalizojmë këtë situatë të re gjeopolitike të cilën nuk e kemi sjell ne, por që është e favorshme për Kosovën, edhe për përmbylljen ne marrëveshjes përfundimtare edhe për fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, deklaroi ajo.

Çitaku ka kritikuar kryeministrin për deklarimet dhe veprimet e tij si opozitar, kur etiketonte kundërshtarët politikë që merrnin pjesë në dialog me Serbinë.

“Me një lehtësi të padurueshme janë thanë fjalë shumë të rënda dhe të mëdha, njerëzit janë shpallur tradhtar, kriminelë. Unë nuk besoj se Kurti është tradhtar, unë shpresoj ta ketë kuptuar se dialogu është i rëndësishëm, shpresoj që nga pozicioni ku është sot të ketë edhe një kuptim tjetër për procesin në të cilin kemi kaluar në vitet e fundit. Shpresoj ta ketë kuptuar se dialogu është një instrument, jo qëllim në vetvete”, ka thënë ajo.