Vlora Çitaku

Çitaku: Në Këshill të Sigurimit, sulmi terrorist në Banjskë u barasvlerësua me dinarin

Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, ka vlerësuar se mbledhje e mbrëmshme e Këshillit të Sigurimit ishte e dëmshme për Kosovën.

Ajo ka bërë me dije se aty për herë të parë Kosova mori flakaresha publike nga aleatët.

Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, Çitaku ka thënë se në atë mbledhje sulmi terrorist në Banjskë është barasvlerësuar me dinarin serb.

Çitaku, që ka përfaqësuar disa herë Republikën e Kosovës në Këshill të Sigurimit, ka thënë se në këtë forum është e rëndësishme se çka thotë SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca.

“Jam thellësisht e shqetësuar, sepse në atë forum mbrëmë sulmi terrorist në Banjskë u barasvleftësuar me dinarin. Kjo duhet ta shqetësojë secilin”, ka thënë Çitaku.

Ish-diplomatja e Kosoës ka treguar se Kosova sa më pak duhet të përmendet në Këshill të Sigurimit.

“Ne duhet të kemi të qartë që sa më pak që të flitet për Kosovën në Këshill të sigurimit në këtë kontekst, qa më mirë është për Kosovën. Do t`i kërkoja institucioneve dhe këtu po flasë edhe si qytetare e Republikës së Kosovës që të bashkërendojmë më ngushtë me aleatët tanë. Sepse dje, nga Kosova nuk tha asgjë që nuk është thënë me herët. Mirëpo për herë të parë, unë kam ndjekur me shqetësim të thellë deklaratat nga aleatët tanë”, është shprehur Çitaku.

Ajo ka treguar së më herët Kosova ka bërë përpjekje që të reduktohet numri i raportimeve në Këshill të Sigurimit.

“Ne kemi bërë përpjekje titanike, bashkë me aleatët, që të reduktojmë frekuencën e raportimit në Këshill të Sigurimit për Kosovën. Ai është një forum ku diskutohen për kriza, ai është një forum ku diskutohet për konflikte. Dhe e vërtetë e patjetërsueshme është që Kosova nuk është në krizë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Kosova duhet të insistojë ti vazhdoj përpjekjet që ti ulë numrin e raportimeve dhe të ulë nivelin e përfaqësimit”, ka thënë ajo duke tregua për fitoren e madhe të Kosovës në këtë forum.

“Besoj se fitorja më e madhe që kemi korrur ne në kohën tonë në Këshill të Sigurimit është pikërisht kjo, ulja e frekuencës se raportimit. Më shumë është folur për Kosovën dhe Serbinë në Këshillin e Sigurimit se sa për konfliktet në Lindjen e Mesme apo në Ukrainë. Në vend se institucionet e Kosovës ta vazhdojnë atë traditë dhe të bashkërendojnë me aleatët, ne kemi parë përpjekje të institucioneve për ta përdorur Këshillin e Sigurimit si platformë ekskluzivisht për audiencë të brendshme”, ka thënë ajo.

Sipas saj, organi kryesor i OKB-së nuk është vendi ku Kosova është e barabartë me Serbinë.

“Këshili i Sigurimit është një vend ku Kosova nuk është e barabartë me Serbinë dhe këtë duhet ta keni të qartë. Në këshill nuk marrin pjesë vetëm aleatët tanë, aty janë edhe kundërshtarët më të mëdhenj të Republikës tonë”, ka theksuar Çitaku.

Duke komentuar paraqitjen e kryeministrit Albin Kurti, ajo ka vlerësuar se shefi i qeverisë nuk ka thënë diçka të re.

“Kryeministri nuk tha në Këshill të Sigurimit asgjë që nuk është thënë më herët nga përfaqësuesit tjetër. Ajo është detyrë e kryeministrit që të përfaqëson perspektiven e Kosovës”, është shprehur Çtaku.

Sipas saj, Kurti ka reflektuar pas kritikave të aleatëve .

Ajo ka vlerësuar se në replikën e tij, kryeministri i Kosovës ka qenë me i but.

“Ajo që pamë në fund të seancës duket që kryeministri reflektoi nga diskutimi i aleatëve tanë, nga goditjet që iu dhanë Kosovës dhe unë këto i pranoj me dhimbje. Sepse unë mund ta luftoj kryeministrin këtu brenda, mirëpo në Këshill të Sigurimit ai përfaqëson Kosovën. Dhe ishte një pamje shqetësuese që nuk ka ndodhur asnjëherë me parë që Kosova të pranoi goditje barabartë sa Serbia në Këshill të Sigurimit nga aleatet tanë”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, e gjitha kjo është për fajin e kryeministrit Kurti.

“Kjo si rezultat e qasjes avantureske të kryeministrit dhe mungesës së koordinimit për çështje që kanë një lloj ndjesi etnike me potencial për tu keqpërdorur nga kundërshtaret e pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar Çitaku.

VIDEO BONUS: Përmbledhje nga demolimi që Kurti ia bëri rrenave dhe propagandës së Vuçiqit në OKB