Çitaku: Mjerim qëndrimi i Gërvallës ndaj fjalimit të Ramës në OKB

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e ka quajtur si mjerim e për keqardhje qëndrimin e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ndaj fjalimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të mbajtur në OKB.

Çitaku tha se fillimisht e lexoi si deklaratë qëndrimin e Gërvallës, teksa shtoi se fillimisht nuk e besoi atë qëndrim.

“Është vërtetë mjerim dhe për keqardhje. Përtej faktit që as nuk e përshëndet iniciativën e Shqipërisë, thotë se kjo është çështje e tyre. Kjo nuk është çështje vetëm e tyre, kjo është një përgjegjësi që kryeministri Rama e ka marrë mbi supe për hir të historisë sonë”, është shprehur Çitaku në Rubikon në Klan Kosova.

Tutje, e dyta e PDK-së tha se Rama nuk ka iniciativë për të mbrojtur një emër të përveçëm, por për t’i mbrojtur bartësit e luftës çlirimtare të Kosovës.

“Raporti i Dick Martyt synon ta rrënojë rrëfimin për Kosovën, për luftën tonë dhe rrjedhimisht të delegjitimoj ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë dhe shtetësinë tonë”.

“Pra, duke e mbrojtur presidentin Thaçi, ne e mbrojmë rrëfimin për Kosovën, i mbrojmë fundamentet e shtetit tonë. Dhe të qëndrosh totalisht indiferent, ishte përtej imagjinatës”, është shprehur Çitaku.