Çitaku – LVV-së: Thaçi është gjithçka që ju ëndërroni e nuk mund të jeni, të mjerë

Nënkreytarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se ish-presidenti Hashim Thaçi është gjithçka që pushteti aktual ëndërron e nuk mund të jetë.

Ajo ka reaguar pas publikimit të një videoje nga Lëvizja Vetëvendosje, në të cilën ajo fajëson pushtetet e kaluara për “amnistimin e kriminelëve serbë”.

Videoja nis më një fotografi të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me ish-ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

“Hashim Thaçi është në burg. Duke u përballur me betejën e tij të fundit në mbrojtje të luftës tonë për liri. Hashim Thaçi, përveç që ka pasë guxim me i hy luftës për liri, ka pasë guxim edhe me ndërtu paqe. Me ofru e garantu të drejta për komunitetet jo shumicë. E ka bërë atë me Kushtetutë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Sipas saj “Hashim Thaçi disa i tremb edhe nga burgu”. “Andaj mundohen t’i bëjnë gjyq publik edhe këtu, në një kohë kur ai nuk mund të përgjigjet. E di, ju dhemb. Ai është gjithçka që ju ëndërroni, po nuk jeni. Të mjerë”, ka shkruar Çitaku.