Çitaku kritikon Qeverinë: Nuk po shohim përpjekje për menaxhim të pandemisë, por vetëm indiferencë dhe arrogancë

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për menaxhimin me pandeminë që e shkakton infeksioni COVID-19.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Çitaku ka thënë se nuk po shohim as përpjekje për menaxhim të pandemisë, por sipas saj, po shohim indiferencë dhe arrogancë, shkruan Reporteri.net.

“Po shohim indiferencë dhe arrogancë. Indiferencë dhe përpuzje ndaj personelit mjeksor, indiferencë dhe përbuzje ndaj qytetarëve. Arrogancë.”, ka shkruar ish-ambasadorja e Kosovës në Washington.

Ky reagim i Çitakut erdhi pasi që gjendja me pandeminë në Kosovë është rënduar ditët e fundit.

Numri i viktimave dhe i të infektuarve nga coronavirusi ka shënuar rritje enorme, ndërkaq vetëm në shtatë ditët e fundit janë infektuar 14,015, ndërsa kanë vdekur 157 persona.

Në total numri i rasteve aktive është 24,939, ndërkaq nga fillimi i pandemisë kanë vdekur 2,387 persona.

Edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar është i mbushur me pacientë.

Në raportin e së enjtes bëhet e ditur se në klinikat COVID dhe spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 1116 pacientë.

Ky është postimi i plotë i Çitakut:

Të jemi të qartë, nuk po shohim as përpjekje për menaxhim të pandemisë.

Po shohim indiferencë dhe arrogancë. Indiferencë dhe përpuzje ndaj personelit mjeksor, indiferencë dhe përbuzje ndaj qytetarëve. Arrogancë.