Çitaku kërkon që shteti ta mbrojë të vërtetën për luftën: Ushtarët e UÇK-së në Hagë s’kanë nevojë për vizita

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka kritikuar institucionet e Kosovës, të cilat sipas saj nuk po punojnë në mbrojtjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me këtë rast, Çitaku tha se ish-krerët e UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë, nuk kanë nevojë për vizita.

“Kemi parë shumë pak përpjekje institucionale për të mbrojtur të vërtetën dhe luftën e UÇK-së. Ushtarët e UÇK-së në Hagë nuk kanë nevojë për vizita, për të parë a kanë bukë, ose kafe për të pirë. Për këto çështje i kanë familjarët. Institucionet kanë nevojë që të shihet një angazhim serioz për të mbrojtur të vërtetën dhe luftën e UÇK-së” tha nënkryetarja e PDK-së, në emisionin Frontal të T7.

Përkundrazi, sipas Çitakut, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, po tentojnë të ndryshojnë historinë.

Ajo përmendi përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku nuk u përmendën emrat e personave që sipas saj, shtruan rrugën drejt pavarësisë.

“Sidomos muajt e fundit, në shkurt e kishim përvjetorin, pamë përpjekje për të ndryshuar, emrat e personave që kishin rol, nuk përmendet emrat e tyre fare. Ne duhet pa komplekse dhe këto ngarkesat politike dhe personale që mund t’i kemi duhet të pushojnë në momente të caktuara” tha ajo.