Çitaku i reagon Osmanit e Haxhiut për Thaçin: Duhet të jeni në gjendje ta tejkaloni inatin

Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentes Vjosa Osmani dhe Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, të cilat kanë kritikuar ish-presidentin Hashim Thaçi, për krijimin e Gjykatës Speciale.

Çitaku në reagimin e saj ka thënë se, duhet Osmani e Haxhi duhet të jenë në gjendje ta tejkalojnë inatin politik dhe se urrejtja nuk është platformë e shëndoshë.

Po ashtu deputetja e PDK-së ka thënë se nuk ka pasur rrugë tjetër pas miratimit të raportit, siç e ka quajtur Çitakut, monstruoz nga ana e KE-së.

Tutje Çitaku ka shtuar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli e të tjerët janë në Hagë si prijës të UÇK-së e jo për shkak të aktiviteteve politike.

“Duheni me qenë në gjendje e e tejkalu inatin. Urrejtja nuk është platformë e shëndoshë”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë i saj:

Dje Presidentja e sot Ministrja e Drejtesise janë përkujdesur me na e përkujtu se kush ka bërë presion për themelimin e Gjykatës Speciale.

E dijmë dhe e mbajmë mend shumë mirë.

Sikurse e dijmë që nuk ka pasur rrugë tjetër pas miratimit të atij raporti monstruoz nga ana e Këshillit të Evropës.

Sikurse e dijmë dhe e mbajmë mend kontekstin ndërkombëtar në atë kohë. Sikurse e dijmë dhe e mbajmë mend se kush çfarë qëndrimi ka mbajtur atë botë. Sikurse e dijmë dhe e mbajmë mend se kush e ka kundërshtuar sinqerisht, kush e ka kundërshtuar rrejshëm, kush e ka miratuar si domosdoshmëri, si dhe kush e ka miratuar me entuziazëm, pa fije presioni.

Sikurse që e kemi parë se raporti i Martit dhe aktakuza e ngritur nuk kanë të përbashkët as pikë e as presje.

Sikurse e dijmë që shumë  prej nesh kishim me i dhanë krejt vitet e karrierës në politikë për një ditë të tyre në UÇK.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokët e tyre nuk janë në Hagë për shkak të aktivitetit politik. Ata janë atje si prijës të UÇK-së.

Duheni me qenë në gjendje e e tejkalu inatin. Urrejtja nuk është platformë e shëndoshë.