Çitaku demanton raportimet: S’ka vullnet për koalicion PDK-LDK në Prishtinë

Partia Demokratike e Kosovës nuk ka marrëveshje për të qeverisur në Prishtinë më Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kështu ka deklaruar nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku. Ajo ka sqaruar se  raportimet e bëra në lidhje me një marrëveshje të mundshme mes PDK-së e LDK-së për qeverisje në Komunën e Prishtinës janë të pavërteta.

Çitaku tha se nuk ka marrëveshje të koalicionit në Prishtinë, teksa theksoi se lajmet se Blerand Stavileci pritet të jetë nënkryetari i ri i kryeqytetit janë spekulime të pastra.

“Jo nuk ka marrëveshje në Prishtinë. Jo nuk është Blerandi nënkryetar i ardhshëm i Prishtinës. I kam parë lajmet kanë qenë të gjitha spekulime, spekulime të pastra. Nuk e di pse”, theksoi ato.

Tutje, Çitaku u shpreh se nuk është diskutuar as për marrëveshje në të ardhmen dhe sipas saj, nuk ka ndonjë vullnet të madh që në Prishtinë të ketë koalicion PDK-LDK.

“Jo vetëm që nuk është e vërtetë që Stavileci nuk do të jetë nënkryetar, por nuk kemi asnjë lloj marrëveshje me LDK-në, po e them shumë hapur. Nuk e kemi diskutuar as brenda kryesisë së PDK-së, as brenda kryesisë së degës. Nuk ka ndonjë vullnet të madh që të shkohet në koalicion. Jemi duke u marrë më shumë në këtë kohë me komunat ku kemi fituar ne”, tha Çitaku gjatë intervistës për Telegrafin.

Çitaku tha se as në Komunën e Gjilanit nuk kanë pranuar një ofertë për koalicion.

“Ne nuk kemi pranuar asnjë ofertë zyrtare nga kryetari i ri i Gjilanit. Nëse e marrim, do të ulemi ta diskutojmë. Ai është kryetar i zgjedhur i Gjilanit”, tha ajo.

Ndërkaq, në përgjithësi rezultatin e zgjedhjeve lokale e konsideron pozitiv për Partinë Demokratike të Kosovës.

Çitaku u shpreh se kanë ofruar kandidat profesionist dhe me integritet, gjë që e sheh si njërën ndër arsyet e këtij rezultati.

“Ka qenë një rezultat shumë pozitiv për PDK-në. Pas zgjedhjeve lokale kemi një riekuilibrim të peizazhit politik në Kosovë. Ka qenë një varg faktorësh që kanë prodhuar këtë rezultat. E para ka qenë cilësia e kandidatëve. PDK-ja nuk e ka nënçmuar, nuk e ka fyer votuesin kosovar. Ka ofruar kandidat profesionist, me integritet. Faktor tjetër ka qenë edhe fryma e një lidershipi të ri në PDK, si dhe rol ka luajtur edhe disponimi i përgjithshëm në Kosovë në raport me qeverisjen e zotëri Kurtit”, theksoi Çitaku.

Duke folur për zgjedhjet lokale, Çitaku ka thënë se nuk janë bërë të gjithë kundër Lëvizjes Vetëvendosje nëpër komuna, duke përmendur që LVV-ja, ka bërë koalicione nëpër komuna.

“Duhet demitizuar ky lloj diskursi “ne kundër të gjithëve, ne jemi të vetmit që jemi të pastër e të ndershëm, të pakompromis”. Lëvizja Vetëvendosje dhe kandidatët e tyre kanë bërë koalicione në disa vende, diku me LDK-në, diku me AAK-në, kanë bërë koalicione parazgjedhore. Edhe është në rregull ajo në politik. Është normale të krijohen aleanca, koalicione. Ka pasur edhe në Prizren. Nuk ka pasur këtu të gjithë kundër nesh, ka pasur koalicione edhe Lëvizja Vetëvendosje”, tha ajo.

Çitaku shtoi se nuk është e dobishme për demokracinë që të thuhet se të gjithë janë bërë kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe prandaj ata nuk kanë fituar në shumë komuna gjatë zgjedhjeve lokale..

“E para nuk është e vërtetë, dhe e dyta kjo lloj gjuhe nuk është e dobishme për demokracinë. Jemi qytetar të këtij vendi, pse a vetëm ata që janë LVV dhe e votojnë Vetëvendosje janë të mirë, e të ndershëm e patriotë? Njerëz të mirë ka kudo, ka edhe në PDK, edhe në LDK, edhe në Vetëvendosje. Me tentu me mbajt patronatin e vlerave, të punës e çiltërsisë nuk është e ndershme. Unë njoh njerëz në LVV, plot gra e burra që janë të zotët e të ndershëm”, tha Çitaku në “Përballje”.

Ajo tutje foli edhe për qeverisjen e Albin Kurtit, për dështimet të cilat mendon ajo që i ka bërë Qeveria aktuale, dorëheqjen e Rrahman Ramës nga pozita e komandatit të përgjithshëm të FKS-së, projektin e gazit e çështje tjera.